Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i antidrogës së policisë në një magazinë në zonën e Selitës në Tiranë.
Mësohet se Policia është informuar nga ish-deputeti socialist Halit Valteri, se një magazinë në rrugën “Hamdi Pepo” prodhoheshin lëndë narkotike të llojit kanabis sativa.
Valteri, i cili është punësuar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, kishte shkuar për inspektim në godinat e kësaj zone dhe më pas ka lajmëruar drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Pas njoftimit, Proda ka dërguar në vendngjarje komisariatin nr. 2 ku më pas zbuluan se në katin e dytë të kësaj godine që ishte dnërtuar gjatë kohës së regjimit komunist, kultivoheshin lëndë narkotike.
Njoftimi i policisë:
Gjatë orëve të para të mëngjesit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë ndërhyrë në ambientet e një magazine të vjetër dykatëshe, në rrugën “Hamdi Pepa”, Selitë, ku nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike, me anë të llambave.
Nga kontrollet, në katin e dytë të këtij objekti, i cili nga verifikimet rezulton i privatizuar nga shtetasit A. C., K. K. dhe V. S., shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në vazo plastike, 105 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Për rastin janë shoqëruar në ambientet e Policisë, disa shtetas, ndërkaq një grup i posaçëm hetimor po punon në vendngjarje, për të zbardhur dhe dokumentuar ligjërisht, rrethanat.
Në përfundim të veprimeve procedurale do të japim njoftim të detajuar për këtë rast.