Hije skandali te tenderët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, probleme me standardet e dyfishta

25 July 2022, 23:12Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Hije skandali te tenderët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, probleme me
Fondit Shqiptar i Zhvillimit

Dyshimet për paracaktimin e fituesit në tenderët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit vazhdojnë të thellohen.

Gjatë qershorit ky institucion hapi 9 procedura me vlerë 30.7 milion euro, por raporti i kompanive që morën pjesë në garë me atë të operatorëve të skualifkuar ka arritur në disa raste gjysmën e numrit të pjesëmarrësve. Në një garë ku kanë qënë 24 operatorë, Fondi i Zhvillimit ka skualifikuar 12 prej tyre, ndërsa në një rast tjetër, 5 nga 6 ofertat e dhëna.

Në garat e zhvilluara është kërkuar që kompanitë të kenë si përvojë 50% të vlerës të punimeve në kontratë.

Pikërisht nga këtu nisin dyshimet për hijet e skandalit.

Tenderi “Ndërhyrje për përmirësimin e shtresave asfaltike” me vlerë 3.6 milion euro është fituar nga bashkimi i operatorëve “Shkëlqimi 07” dhe “Grand Konstruksion M”. Eksperienca për punë të ngjashme sa 50% e vlerës së punimeve është caktuar si kriter i përmbushur nga kompanitë fituese, të cilat duhet ta kishin së paku 1.8 milion euro të fondit limit.

Por në një tjetër garë, ku ky bashkim operatorësh ka qenë pjesëmarrës, me vlerë kontrate më të vogël, këta operatorë janë skualifkuar pasi komisioni ka vlerësuar se nuk kanë pasur përvojën e punëve të ngjashme.

Tenderi “Rehabilitimi i Përroit Lushnjë dhe rikualifikimi urban i zonave rreth tij” kishte një vlerë kontrate 2.7 milion euro. Në këtë rast punët e ngjashme duhet të ishin 1.35 milion euro, janë vlerësuar se nuk kanë qenë si pjesë e eksperiencës së kompanisë, dhe te tenderi që duhet të ishin 1.8 milion euro, janë vlerësuar se kanë qenë.

“Konkretisht Operatori ekonomik “Shkelqimi 07” sh.p.k., si pjesëtari me përqindjen më të madhe nuk arrin vlerën e kontratave të ngjashme.” Thuhet në procesverbalin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Ky nuk është skandali i parë që mbulon Fondin Shqiptar të Zhvillimit, pas fitimit të tenderit të menusë për projektin “100 fshatrat” nga kuzhinieri i restorantit të djalit të kreut të këtij institucioni Dritan Agolli, apo dhënies së ofertave tërësisht të ngjashme nga kompanitë në tenderat e rindërtimit, ku fondi ka shpallur fituesin me rotacion, pa anuluar dhe denoncuar rastin./Euronews Albania


Video