Siç ishte paralajmëruar, aktivistja suedeze me famë ndërkombëtare, Greta Thunberg, protestoi pasditen e kësaj të mërkurë në sheshin “Skënderbej”, për të ngritur “zërin” për vuajtjet e popullit palestinez, të shkaktuara nga Izraeli.
Protesta nisi në orën 18:00 dhe po zhvillohet nën moton “Ndaloni urinë, lejoni ushqimin dhe jetën”.
Pas fjalimeve të mbajtura nga disa protestues në sheshin "Skënderbej", pjesëmarrësit po tentojnë të marshojnë drejt kryeministrisë, por po pengohen nga policia.
Mbi 100 organizata humanitare dhe të të drejtave të njeriut u bënë thirrje qeverive të ndërmarrin veprime urgjente për të ndalur përhapjen e urisë në Gazë.
Ato, gjithashtu, kërkuan armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, si dhe heqjen e të gjitha pengesave për shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Në deklaratën e nënshkruar nga 111 organizata, përfshirë Mercy Corps, Këshillin Norvegjez për Refugjatët dhe Refugees International, paralajmërohet se uria në Gazë po përhapet me shpejtësi të madhe, ndërkohë që ndihmat jetike, si ushqimi, uji dhe barnat, qëndrojnë të pashpërndara pranë kufirit, pasi organizatave humanitare u ndalohet të veprojnë.