Ambasada e BE në Tiranë i është përgjigjur interesit të Top News, lidhur me kërkesat e vazhdueshme të kryeministrit Rama për shkarkime përmes dorëheqjes së funksionarëve të pushtetit vendor.
Top News u interesua pranë selisë diplomatike nëse kjo ndërhyrje e ekzekutivit në pushtetin vendor bie ndesh me kartën europiane të autonomisë vendore dhe nëse ndikon në rrugën e integrimit në BE.
Reagimi i BE për Top News
· BE-ja po ndjek nga afër zhvillimet më të fundit në fushën e administratës vendore në Shqipëri. Autoritetet vendore luajnë rol të rëndësishëm në procesin e integrimit në BE, duke qenë se ato janë përgjegjëse për zbatimin e një pjese domethënëse të acquis-ve të BE-së që kërkon qeverisje të efektshme në nivele të ndryshme.
· Karta Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore, e miratuar nga Këshilli i Evropës dhe e ratifikuar nga Shqipëria në vitin 2000, përcakton standardet për ruajtjen e pavarësisë politike, administrative dhe financiare të autoriteteve vendore. Kjo Kartë është pasqyruar edhe në Ligjin për Vetëqeverisjen Vendore të vitit 2015.
· Siç theksohet edhe në raportin e Komisionit për Shqipërinë për vitin 2024, ndarja e përgjegjësive ndërmjet qeverisjes vendore dhe asaj qendrore vijon të jetë fushë me shqetësim, dhe në të cilën ka nevojë për përsosje të kuadrit ligjor lidhur me funksionet e njësive të vetëqeverisjes vendore. Këtyre organeve vijojnë t’ju mungojnë burimet financiare dhe kapacitetet administrative të mjaftueshme dhe të qëndrueshme, dhe autonomia e tyre vijon të jetë e rrezikuar. Ofrimi i shërbimeve publike cilësore në nivel vendor vijon të jetë i kufizuar. Efikasiteti, transparenca dhe llgaridhënia e menaxhimit të burimeve njerëzore duhet përmirësuar.
· Në këtë kontekst, ne kemi dhe do të vijojmë të mbështesim reformat kyçe për qeverisjen në nivel vendor, përfshirë punën lidhur me konsultimin publik, planifikimin e integritetit dhe kompetencat e qarta të qeverisjes vendore, ndërkohë që rrisim mbështetjen e saj lidhur me zhvillimin e infrastrukturës dhe shërbimeve bashkiake dhe zhvillimin rajonal, përmes granteve për njësitë e vetëqeverisjes vendore. Të gjitha këto ndërmerren në kontekstin më të gjerë të mbështetjes me qëllim që bashkitë të përmbushin detyrat e tyre në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.