Goditi me qytën e pistoletës një person në një lokal në Tiranë/ Arrestohet 37-vjeçari, e pëson edhe i plagosuri! (Emri)

25 August 2026, 13:52Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Goditi me qytën e pistoletës një person në një lokal
Indrit Kallari

Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar mbrëmjen e 24 gushtit në zonën e Don Boskos, në Tiranë, pas një konflikti mes disa personave brenda ambienteve të një lokali.

Rreth orës 22:00, Policia është njoftuar për një konflikt në rrugën “Don Bosko”. Pas sinjalizimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, të mbështetura nga Forcat “Shqiponja”, kanë ndërhyrë në ambientet e lokalit “Omerta”.

Gjatë kontrollit fizik ndaj Indrit Kallarit, efektivët gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë të tipit “TT”.

Sipas dyshimeve të Policisë, Kallari e ka përdorur qytën e pistoletës për të goditur në pjesën e ballit Arben Merkajn gjatë konfliktit.

Indrit Kallari u arrestua në flagrancë dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve” dhe “Plagosja e rëndë”.

Në vijim të veprimeve hetimore, në pranga përfundoi edhe Arben Merkaj, i cili rezulton të jetë personi i dëmtuar gjatë ngjarjes. Ai akuzohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi, sipas Policisë, nuk ka kallëzuar rrethanat në të cilat ka ndodhur konflikti dhe plagosja.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë neutralizoi një konflikt të ndodhur mbrëmë, në Laprakë, ndërmjet 2 shtetasve, njëri prej të cilëve ishte i armatosur.

Goditi me qytën e pistoletës që mbante pa leje, një 47-vjeçar, për motive të dobëta, arrestohet në flagrancë 37-vjeçari. Vihet në hetim 47-vjeçari, për moskallëzim të këtij krimi. Sekuestrohet arma e zjarri me krehrin dhe fishekët.

Menjëherë pas njoftimit për një konflikt në rrugën “Eshref Frashëri”, ndërmjet 2 shtetasve, rreth orës 21:45 të datës 24.08.2026, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë në lidhje me këtë rast.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale u neutralizua konflikti, si dhe u arrestua në flagrancë shtetasi I. K., 37 vjeç, banues në Krujë, i cili dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me qytën e armës së zjarrit (pistoletë) që mbante pa leje, shtetasin A. M., 47 vjeç, banues në Laprakë.

Në vijim të këtyre veprimeve nisi procedimi në gjendje të lirë për 47-vjeçarin, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


Video