GJKKO pranon kërkesën e SPAK dhe zgjat me 3 muaj hetimet për ish-deputetin socalist, Jurgis Çyrbja!

17 April 2025, 14:49Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
GJKKO pranon kërkesën e SPAK dhe zgjat me 3 muaj hetimet për
Jurgis Çyrbja

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e SPAK për zgjaten me 3 muaj të hetimeve për ish-deputetin e PS-së, Jurgis Çyrbja.

Dy ditë më parë u raportua se SPAK kërkonte dhe 3 muaj kohë për të hetuar ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja pasi pret marrjen e përgjigjeve për disa letërporosi të nisura agjencive partnere jashtë vendit.

Kërkesa për shtyrje afatesh u bë në seancën e kësaj të marte, teksa avokatët e Çyrbes kërkuan kohë të njihen me kërkesën e Prokurorisë. 

Ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja u arrestua në muajin tetor 2024 në Durrës, pak ditë pasi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, të cilin e mbante që nga viti 2017.

SPAK bëri të ditur në një njoftim të shkurtër se urdhërarresti është lëshuar nën akuzat ‘Korrupsioni aktiv në zgjedhje’, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; ‘Përkrahja e autorit të krimit’, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe ‘Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit’, parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal”.

Korrupsioni aktiv në zgjedhje parashikon dënim nga një deri në pesë vjet ndërsa neni 302/1/2 parashikon dënimin nga dy deri në shtatë vjet. Neni 295/1 parashikon dënim nga  gjobë deri në pesë vjet.

Ai u zgjodh për herë të parë si deputet i Partisë Socialiste në vitin 2017 në qarkun e Durrësit.

Çyrbja, një ish-drejtor hipoteke, u bë i njohur në veçanti për rastin e ish-Hotel Vollgës, një pronë në qendër të Durrësit, për të cilën, Emiljano Shullazi, i dënuar disa herë për krime të ndryshme, kishte interes.

Sipas CV-së së tij, Çyrbja, 39-vjeç, ka mbaruar studimet në vitin 2010 dhe është bërë drejtor i Hipotekës së Durrësit në vitin 2013 dhe deputet në vitin 2017.


Video