Gjendet trupi i pajetë i fëmijës së dytë të Alma Arrazit

6 Maj 2024, 16:14Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Alma Arrazi me tre fëmijët e saj

Polumbarët e RENEA-s kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë të fëmijës së dytë që u mbyt në lumin Buna të Shkodrës së bashku me nënën, vëllain dhe motrën.

Me lot në sy, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka dhënë lajmin e hidhur për gjetjen e trupit të pajetë të fëmijës së dytë të Alma Arrazit, nëna që i dha fund jetës duhe u hedhur në lumin Buna me tre fëmijët e saj, dy vajzat 9 dhe 8 vjeçe dhe djalin 2-vjeçar.

Trupi i vajzës 9-vjeçe u gjet një ditë më parë rastësisht nga një peshkatar i zonës.

Alma Arrazi u vetëhodh nga ura e lumit Buna katër ditë më parë, dyshohet pas dhunë sistematike fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti i saj, Erdgys Arrazi i cili kishte një lidhje jashtëmartesore me një adoleshente. Ky i fundit është aktualisht i arrestuar me akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes.

Balla tha se kërkimet do vijojnë për gjetjen e trupit të nënës dhe fëmijës tjetër.

“Është gjetur trupi i fëmijës së dytë/ Dyshohet që edhe trupi i nënës dhe i fëmijs tjerë të jenë në këtë zonë. Kërkimet nga RENEA dhe peshkatarët e zonës do vijojnë edhe sot. Është një moment i rëndë, nuk gjej dot fjalët. I bëj thirrje të gjitha vajzave dhe grave në vend, të denoncojnë dhunën.

Dhuna në familje, dhuna që çdo vajzë e grua përballet kur shkon në punë, në rrugë. E kam thënë shpesh, por erdhi dita ta them edhe me lot në sy, na duhet të shkëputemi nga kjo situatë. Të reagojmë të gjithë si shoqëri. Edhe kur vajzat nuk reagojnë dot, duhet të reagojnë të gjithë të tjerët. Na duhet të rrisim fuqinë tonë të marrjes së informacionit dhe të ndërhyrjes në kohë”, tha Balla.

Pamje nga kërkimet në lumin Buna:

 

 


Video