
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka argumentuar në emisionin “Off the Record” se heqja e gurëve të trotuareve në bulevardin e Tiranës u bë për të shmangur përdorimin e tyre si armë e ftohtë gjatë protestave.
Gonxhja u ndal te mënyra se si protestuesit mblidhnin gurët në kova për t’i përdorur më pas sipas tij si municion, duke e krahasuar këtë skenë me episodin e tortës së pavarësisë.
Sipas ministrit, pamjet filmike tregojnë se gurët merreshin nga trotuaret, grumbulloheshin në kova dhe më pas shpërndaheshin mes protestuesve për t’u përdorur gjatë përplasjeve.
“Nuk mund të kthehet dot bulevardi dhe anët e tij në një tortë pavarësie, ku merreshin gurët e trotuareve, dhe po këta që bëheshin merak për marrjen e gurëve nga ana e ekskavatorëve të bashkisë, për të hequr armën e ftohtë që mund ta përdornin njerëz që bënë atë që kanë bërë këto ditë më këto gurë dhe bulevardin historik, duhet të kishin folur më parë për vlerën që ka ky bulevard", tha Gonxhja.
"Natyrisht që është heqje arme, hiqja e gurëve. Videot janë të qarta, është tërësisht pamja e tortës së pavarësisë mënyra si hidhen në kova dhe nga këto kova përdoret si municion që shpërndahen mes njerëzve dhe këto gurë…
Kishim të bërë me gurë që ishin shumë të rrezikshëm si armë e ftohtë dhe që janë më kollaj të lëvizshëm. Nuk mund të lëviznim natyrisht godinat, por aty ku mundemi, pse jo, bëhet një lëvizje, përderisa e ke shkatërruar trotuarin dhe do rimozaikohet përsëri nga ustallarët, i garantoj qytetarët”, vijoi ministri.