Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) vijon të jetë në qendër të një sërë problematikash të evidentuara përmes hetimeve, auditimeve dhe denoncimeve që lidhen me rimbursimin e barnave, marrëdhëniet kontraktuale me kompanitë farmaceutike dhe kontrollin e depove e farmacive.
Media prapaskena ka publikuar një artikul denoncues ku në qendër të investigimit kanë drejtorin aktual i FSDKSH-së, Ilir Topin, ish-drejtuesit e institucionit, kompania “CFO Pharma”, si dhe gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) dhe hetimet e Prokurorisë së Tiranës e SPAK-ut.
Deklarimi i pasurisë së Ilir Topit
Sipas materialit, drejtori i FSDKSH-së, Ilir Topi, ka deklaruar një banesë trekatëshe me sipërfaqe totale 223.4 metra katrorë dhe sipërfaqe ndërtimi 128 metra katrorë për kat, me vlerë rreth 35 mijë euro.
Topi ka deklaruar të ardhura nga emigracioni, aktiviteti bujqësor dhe kursimet e krijuara nga pagat.
Sipas dokumentit ka mospërputhje në deklarimet e tij lidhur me periudhën e qëndrimit në Greqi.
Ilir Topi, i cili ka punuar më parë si doganier në Korçë dhe tatimor në Tiranë, ka plotësuar formularin e dekriminalizimit në mars të vitit 2021, në kuadër të mandatit të deputetit të Partisë Socialiste.

Në formularin e dekriminalizimit ai nuk deklaron se ka jetuar jashtë shtetit për arsye emigracioni. Topi deklaron se gjatë viteve 1995-1997 ka qëndruar në Kretë të Greqisë për studime dhe jo si emigrant.
Ndërkohë, në CV-në e tij si deputet thuhet se gjatë periudhës 1995-1996 ka qenë në Greqi për studime pasuniversitare në Institutin Agronomik Mesdhetar, Studime të Avancuara, në Maich të Kretës.

Këto mospërputhje mes CV-së, formularit të dekriminalizimit dhe deklarimit të pasurisë, sipas materialit, ngrenë pikëpyetje dhe dyshime që kërkojnë verifikim nga institucionet kompetente.
Kontrata me “CFO Pharma”
Një nga çështjet kryesore të përmendura në material lidhet me kompaninë “CFO Pharma”, në pronësi të Nadir Çaushollit.
Sipas materialit, në shtator të vitit të kaluar ish-drejtori i FSDKSH-së, Spartak Zekja, u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Tiranës në kuadër të hetimeve për një skemë të dyshuar mashtrimi dhe përfitimi të paligjshëm nga fondet e rimbursimit të barnave.
Hetimet, sipas materialit, prekën edhe zyrtarë të tjerë të Fondit dhe subjekte farmaceutike.
Në këtë kuadër, materiali ngre pretendimin se problematikat e evidentuara më herët mund të kenë vijuar edhe pas ndryshimit të drejtimit të institucionit.
Sipas dokumentit, Ilir Topi ka firmosur rikthimin e kontratës me “CFO Pharma”, kompani e cila ishte përfshirë më herët në hetime për një skemë të dyshuar mashtruese me rimbursimin e medikamenteve, në vlerën 700 mijë euro.
Materiali pretendon gjithashtu se Topi ka injoruar një raport të ri ku ngrihen dyshime për një vlerë tjetër prej të paktën 1.6 milionë eurosh.
Më 16 tetor 2025, ish-drejtori i Fondit, Arti Papajani, kishte firmosur ndërprerjen e kontratës me kompaninë, pas një hetimi administrativ ku, sipas materialit, u evidentuan shkelje financiare lidhur me rimbursimin e dy medikamenteve, “Trimbow” dhe “Foster”.
Ky vendim, sipas dokumentit, u la në fuqi edhe nga Komisioni i Apelimit Administrativ pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
FSDKSH dhe problematikat e evidentuara ndër vite
Sipas materialit, dosje të SPAK-ut dhe Prokurorisë së Tiranës, operacione policore, raporte të KLSH-së dhe investigime mediatike kanë ngritur një sërë problematikash lidhur me funksionimin e FSDKSH-së.
Dokumenti e cilëson institucionin si një prej strukturave më problematike në sistemin e shëndetësisë dhe thekson se, pavarësisht arrestimeve, auditimeve, denoncimeve dhe ndryshimeve në drejtim, problematikat kanë vijuar.
Sipas materialit, FSDKSH ka ndryshuar të paktën 14 drejtues në 13 vitet e fundit. Mes tyre përmenden Astrit Beci, Milva Ekonomi, Vjollca Braho, Erion Manohasa, Alketa Hila, Eduard Ahmeti, Anila Denaj, Adela Xhemali, Rudina Dergjoni, Elisa Bërziu, Albana Çela, Spartak Zekja, Arti Papajani dhe drejtori aktual Ilir Topi.
Materiali ngre pretendime se disa prej drejtuesve kanë favorizuar interesa të caktuara biznesi në sektorin farmaceutik dhe se problematikat kanë prekur kontratat, rimbursimet dhe kontrollet ndaj depove e farmacive.
Problematikat me depot dhe farmacitë
Një tjetër pjesë e rëndësishme e materialit lidhet me funksionimin e rrjetit të farmacive dhe depove farmaceutike.
Sipas pretendimeve të ngritura në dokument, disa subjekte farmaceutike dyshohet se kanë vijuar të përdorin skema të dyshuara mashtruese me barnat e rimbursueshme, ndërsa ngrihen akuza edhe për kontrabandë, tregtim të barnave të skaduara ose të falsifikuara dhe shitje fiktive.

Materiali lidh gjithashtu problematikat e FSDKSH-së me katër koncesione në sektorin e shëndetësisë: hemodializën, check-up-in, laboratorët dhe sterilizimin.
Sipas dokumentit, këto kontrata janë certifikuar si korruptive nga KLSH dhe pjesërisht nga gjykatat, ndërsa janë bërë objekt dyshimesh edhe nga SPAK-u. Materiali pretendon se, sipas dosjeve të SPAK-ut dhe raporteve të KLSH-së, përfituesit e këtyre koncesioneve janë paguar edhe për punë që nuk ishin kryer.
Raporti i KLSH-së për barnat e skaduara
Një raport prej 413 faqesh i Kontrollit të Lartë të Shtetit është një tjetër element i rëndësishëm i materialit.
Sipas dokumentit, raporti konstaton problematika në kontrollin e depove farmaceutike dhe veçanërisht në dokumentimin e datave të skadencës së barnave.
KLSH ka evidentuar se në procesverbalet e kontrolleve ishte regjistruar sasia fizike e barnave, por mungonte dokumentimi i datës së skadencës për secilin prej produkteve të inventarizuara.
Sipas raportit të cituar në material, kjo mangësi e bënte të pamundur vlerësimin objektiv të disponibilitetit efektiv të barnave dhe përmbushjen e kërkesave kontraktuale.
KLSH e konsideron mosdokumentimin e datës së skadencës një mangësi thelbësore, pasi ndikon në transparencën, saktësinë dhe besueshmërinë e kontrollit të gjendjes së barnave.
Spartak Zekja dhe hetimi për barnat
Nga shtatori 2023 deri në shtator 2025, FSDKSH është drejtuar nga Spartak Zekja.
Sipas materialit, Zekja ishte më herët i lidhur me sektorin farmaceutik dhe kishte qenë themelues i kompanisë Distributor of Medical Devices Group sh.p.k., e cila kishte edhe një depo farmaceutike.
Për të shmangur konfliktin e interesit gjatë drejtimit të Fondit, ai ia kishte kaluar aksionet e kompanisë Matteo Shehut. Dokumenti, megjithatë, ngre pretendime për vijimin e lidhjeve të tij me sektorin farmaceutik.

Në nëntor 2025, Prokuroria e Tiranës arrestoi Spartak Zekjan së bashku me persona të tjerë.
Sipas materialit, hetimet zbuluan një skemë të dyshuar mashtrimi me inventarë dhe fatura fiktive për barnat “Foster” dhe “Trimbow”, përmes së cilës dyshohej se përfitoheshin fonde të rimbursimit nga FSDKSH.
Në qendër të hetimit ishte “CFO Pharma”, së bashku me subjektet “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” dhe persona të lidhur me strukturat e Fondit.
Albana Çela dhe drejtimi i Fondit
Edhe ish-drejtoresha e FSDKSH-së, Albana Çela, e cila ka drejtuar institucionin gjatë periudhës 2020-2023. Sipas dokumentit, KLSH ka rekomanduar shkarkimin e saj. Në shtator 2023, ajo u zëvendësua nga Spartak Zekja.
Albana Çela (Adhami) është lidhje e ngushtë e Ogerta Manastirliut, ish ministre e Shëndetësisë, me dosje në SPAK për aferat në shëndetësi. Drejtoreshat e Fondit janë diktuar nga oligarkëy përmes Manastirliut, e cila ka qenë kryetare e Këshillit Administrativ të Fodit, për periudhën 2017- 2023, në cilësinë e ministres së Shëndetësisë./Marrë nga Prapaskena