Dalin detaje nga arratisja e Daut Lazes/ Me një palë tuta doli nga burgu për 40 minuta

16 Shkurt 2025, 17:53Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Daut Laze

Detaje të reja dalin nga arratisja e 49-vjeçarit Daut Laze nga burgu i Shënkollit.

Kanë kaluar dy javë nga ngjarja, ndërsa mësohet se Laze ishte akomoduar në sektorin e të sëmurëve më datë 31 janar, ndërsa më 4 shkurt u largua nga ambientet e burgut.

Sipas dëshmisë së punonjësve të burgjeve, dhomat e të sëmurëve qëndronin pa çelës, por vetëm me një shul.

40 minuta kohë i është dashur Daut Lazës për t’u arratisur, rezultat ky i dalë nga ekspertiza e Policisë së Shtetit.

Nga vëzhgimi i pamjeve filmike rezulton se Laze i cili mbahej në një dhomë ku po merrte mjekim bashkë me dy të paraburgosur, është larguar nga institucioni në orën 03:44 minuta të mëngjesit.

Për të kaluar mbi murrin rrethues ai ka përdorur një palë tuta sportive, të cilat janë gjetur nga ana e policisë.

Në raportin e ekspertizës evidentohet se zgara e dhomës dhe e sektorit është lënë e hapur, pa çelës, gjë të cilën e ka shfrytëzuar Laze për t’u larguar.

 

Video