Tetë personat e arrestuar në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit do të dalin sot para Gjykatës së Durrësit, ku do të njihen me masën e sigurisë.
Mes të arrestuarve janë kryeinfermieri Aulon Çuko, zëvendësshefi i komanduar i policisë së burgut, Desdemon Pazaj, si dhe pesë efektivë të policisë së shoqërimit: Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baçi dhe Aranit Çela. Në pranga ka rënë edhe shtetasja Violeta Uka, përgjegjëse për njoftimin e sallave operative gjatë shoqërimit.
Gjykata e Durrësit caktoi masën e “arrestit në shtëpi” për doktoreshën e spitalit të burgut, Ylfete Sema.
Gjithashtu, ditën e djeshme u arrestua edhe ish-drejtori i burgut të Durrësit, Indrit Cerloj, në kuadër të të njëjtit operacion.
Kujtojmë se Ndoci, një person me rrezikshmëri të lartë, arriti të arratisej nga spitali i Durrësit më 13 janar.