Gjykata e Posaçme e Apelit prish vendimin për inceneratorin e Fierit.
Çështja është kthyer në shkallën e parë për gjykim nga një tjetër trupë gjykuese.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi(kryesues), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Miliana Muça (anëtare), më datë 19.12.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 26 akti, datë 04.04.2024 regjistrimi,mbi ankimin e Prokurorisësë Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar,si dhe mbi ankimet e ankuesve/të pandehurve L.K., A.B., P.A., S.C., F.M., A.Sh., A.K., E.M., K.Z., L.D., A.D., J.Y.,kundër vendimit nr. 57, datë 25.09.2023të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
Prishjen e vendimit nr.57, datë 25.09.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kthimin e akteve kësaj gjykate me tjetër trup gjykues.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 20 (njëzet) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij”, njofton GJKKO.
Në shtator të vitit të kaluar, në mbyllje të gjykimit të dosjes së Inceneratorit të Fierit, Gjykata e Posaçme dënoi më 6 vjet e 8 muaj burg për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “pastrim të parave”.
Ish-deputeti Bllako u fajësua vetëm për një akuzë me 2 vjet e 8 muaj.
Zotërues i kompanisë koncesionare të inceneratorit të Fierit, Klodian Zoto, u dënua me 12 vite burg. Nga 4 akuza për “korrupsion” Zoto u deklarua fajtor vetëm për një prej tyre, ndërsa u gjet fajtor edhe për “mashtrim me pasoja të rënda”, “krijim skemash mashtruese” dhe “pastrim të parave”.
Për të pandehurit e tjerë gjykata dha pafajësi, ose dënime nga 3 në 3.5 vite burg, për të cilët më pas u vendos pezullimi i dënimit me burg, ose lirim nga qelia, pasi koha e qëndrimit në paraburgim ishte më e madhe se dënimi i dhënë.