Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, të rajonit Kukës-Dibër, ka pezulluar dy policë të Dibrës, pasi dyshohen për kryerjen e veprës penale “shpërdorimi i detyrës”.
Sipas njoftimit të AMO-së, u pezulluan:
-Inspektor D. S., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban, pranë DVP Dibër.
-Inspektor D. S., me detyrë Trupë Shërbimi i Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Bulqizë, pranë DVP Dibër.
Prokuroria e Dibrës ka caktuar ndaj tyre masat e sigurisë “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”.
“Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur në kuadër të procedimit penal të vitit 2026, në lidhje me ngjarjen e datës 10.03.2026 në qytetin e Bulqizës, ku kanë mbetur të plagosur rëndë 3 shtetas. Nga veprimet e thelluara hetimore ka rezultuar se këta punonjës policie nuk kanë përmbushur detyrat funksionale në zbatim të Ligjit për Policinë e Shtetit“, njofton AMP-ja.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përfshirjen e mundshme të punonjësve të tjerë.