7 të arrestuar brenda 48 orësh, krerët e Policisë spanjolle mbërrijnë në Tiranë

18 May 2022, 16:07Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
7 të arrestuar brenda 48 orësh, krerët e Policisë spanjolle
Konferenca mes Policisë shqiptare dhe spanjolle

Policia e Shtetit ka zhvilluar ditën e sotme një konferencë të përbashkët me homologët spanjollë në kuadër të marrëveshjes së ekstradimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, e cila hyri në fuqi më 16 mars të vitit 2022.

Drejtori i Përgjthëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, bëri me dije se deri tani janë arrestuar 7 persona për t'u ekstraduar drejt Spanjës. Ai shtoi më tej se bashkëpunimi mes autoriteteve të dy vendeve ka qenë gjithnjë shumë i mirë.

"Policia e Shtetit ka bërë një punë paraprake për evidentimin dhe verifikimin e të gjithë personave të kërkuar nga autoritetet spanjolle dhe me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, në koordinim të ngushtë me autoritetet spanjolle të zbatimit të ligjit, veçanërisht me strukturat e INTERPOL-it dhe FAST-it të të dy vendeve, ka filluar operacioni dhe deri tani janë arrestuar 7 shtetas shqiptarë, për veprat penale: “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Organizata kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shkelja e ligjit për drogat”. Këta shtetas vijojnë të jenë në procedura gjyqësore, me qëllim ekstradimin e tyre drejt Spanjës.

Po në kuadër të këtij bashkëpunimi, gjatë vitit 2021 janë realizuar operacionet e suksesshme: “DOBRA”, “NOMADA” dhe “SHPIRTI”. Po ashtu, të suksesshme ishin dhe operacionet e zhvilluara më parë si: operacioni “VAZHDIMI” dhe Mega Operacioni “ONE IF-BY LAND”, rezultatet e të cilëve i kemi bërë të ditura në komunikimet e mëparshme.

Këto operacione dhe hetime kanë qenë të fokusuara kundër grupeve kriminale të prodhimit dhe trafikimit të narkotikëve, kontrabandimit të emigrantëve, pastrimit të parave, vjedhjeve të banesave etj. Në kuadër të këtyre operacioneve janë sekuestruar sasi të konsiderueshme bimësh e lëndësh narkotike, armë zjarri, para cash dhe automjete. Në Shqipëri janë sekuestruar edhe pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe janë bllokuar aktivitete tregtare.

Me autoritetet spanjolle të emigracionit kemi pasur gjithashtu një bashkëpunim shumë të mirë. Kjo është reflektuar edhe në bashkëpunimin e vazhdueshëm për kthimin e shtetasve shqiptarë, që gjenden, me qëndrim të parregullt, në territorin spanjoll. Autoritetet spanjolle dhe Policia e Shtetit shqiptar kryejnë fluturime të përbashkëta riatdhesimi, të koordinuara nga FRONTEX. Autoritetet spanjolle janë angazhuar edhe me ofrimin e asistencës teknike për Policinë e Shtetit përmes organizimit të trajnimeve dhe seminareve, si dhe koordinimin e zbatimin e projekteve të ndryshme.

Bashkëpunimi me partnerët, nënshkrimi dhe zbatimi i detyrimeve të ndërsjella që parashikojnë marrëveshje të tilla, ndikojnë në parandalimin e krimit dhe përbëjnë një akt të domosdoshëm për të rritur terrenin e veprimit, duke bërë që Shqipëria të mos kthehet kurrsesi në oaz të lakmuar për shtetasit që janë në konflikt me ligjin dhe parimet e një shoqërie të lirë. Gjithashtu , këto marrëveshje ekstradimi bëjnë të mundur dhe janë një faktor ndihmues në vënien në vend të drejtësisë, pavarësisht vendit se ku janë të përqendruara fenomenet që duhen goditur e neutralizuar nëpërmjet operacioneve policore." tha Gledis Nano

Ndërkohë, përfaqësuesi i Policisë spanjolle deklaroi se ka gjetur një gatishmëri nga ana e homologëveshqiptarë, ku ata 7 persona janë arrestuar brenda 48 orësh. Sipas tij, një pjes prej të arrestuarve strehoeshin në Shqipëri me identitet të rremë.

“Disa ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së përmendur me Shqipërinë, Seksioni i të Arratisurve të Policisë Kombëtare Spanjolle ka nisur një shkëmbim intensiv informacioni operacional me autoritetet shqiptare, me qëllim gjetjen e të arratisurve të pretenduar nga Spanja, me një vendndodhje të mundshme në Shqipëri.

Hetimet janë kryer me mbështetjen e çmuar të Zyrës së Atasheut të Brendshëm dhe janë kanalizuar përmes Rrjetit Evropian të Personave të Arratisur (ENFAST Network), anëtare e të cilit është Shqipëria dhe Presidencën e së cilës e mban Spanja, deri në fund të vitit 2023. Sapo filloi bashkëpunimi, në vetëm 48 orë, ekipi i Personave të Arratisur shqiptarë ka arrestuar gjithsej 7 persona në Shqipëri të kërkuar nga Spanja për krime të rënda si përkatësi në një organizatë kriminale, trafik ndërkombëtar droge në kuadër të organizatave kriminale ose sulme në shtëpi. Një pjesë e këtyre personave strehoheshin me identitete të rreme, në Shqipëri.

Nga Policia Kombëtare duam të falënderojmë punën e autoriteteve shqiptare dhe të theksojmë se veprimet e sipërpërmendura janë vetëm fillimi i punës së përbashkët në të ardhmen mes vendeve tona kundër krimit të organizuar dhe kundër atyre që përpiqen t'i shmangen drejtësisë." tha Dario Varela Fernandez.


Video