
Një operacion i madh antidrogë është zhvilluar më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës, në kuadër të hetimeve për trafikimin dhe shpërndarjen e dyshuar të narkotikëve. Si rezultat i këtij operacioni, janë vënë në pranga pesë persona, mes tyre edhe ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqia.
Sipas mediave vendase, të arrestuarit mësohet se janë: Astrit Haraqia, Jeton Stanovci, 42 vjeç, Albana Xhemajli-Ramadani, 26 vjeçe, Alban Maloku, 30 vjeç dhe Gëzim Feka, 38 vjeç.
Sipas informacioneve të raportuara për operacionin, gjatë aksionit janë arrestuar gjithsej gjashtë persona, por njëri prej tyre është liruar dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Gjatë operacionit raportohet se janë sekuestruar 1.6 kilogramë kokainë, automjete luksoze dhe sende të tjera që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale. Në mesin e automjeteve të sekuestruara janë: Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe Volkswagen Tiguan.
Po ashtu, në sekuestro janë vënë edhe 16 mijë euro para të gatshme, orë luksoze Rolex dhe Franck Muller, telefona, pajisje elektronike, një armë zjarri, municion dhe pajisje që dyshohet se janë përdorur për paketimin e narkotikëve.
Vlera e përgjithshme e pasurisë së sekuestruar mësohet se është rreth 301 mijë euro.
Hetimet lidhen me dyshimet për veprimtarinë e një grupi të organizuar në trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës.
Me vendim të Prokurorisë, gjashtë të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.
Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqia, i arrestuar në kuadër të operacionit antidrogë “Heshtja”, raportohet se ka mohuar përfshirjen në veprimtarinë e dyshuar kriminale.
Sipas informacioneve të bëra publike, ai ka bashkëpunuar plotësisht me hetuesit, duke vënë në dispozicion edhe fjalëkalimet e telefonave të tij. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Haraqisë nuk është gjetur asnjë substancë narkotike apo send tjetër i dyshimtë që do ta lidhte drejtpërdrejt me veprimtarinë për të cilën po zhvillohen hetimet.
Megjithatë, gjatë bastisjes së shtëpisë së tij raportohet se janë sekuestruar 7 mijë euro para të gatshme, për të cilat ish-ministri ka deklaruar se u përkasin fëmijëve të tij.
Ndërkohë, burime për gazetën Sinjali bëjnë me dije se Haraqia ka pranuar se ka njohje dhe miqësi shumëvjeçare me njërin prej personave të arrestuar në kuadër të operacionit, por ka mohuar sërish çdo lidhje me veprimtarinë e dyshuar të trafikimit apo shpërndarjes së narkotikëve.