Sulmoi Arbër Berexhën, Shoqata e Prokurorëve reagon ndaj Taulant Ballës: Aludime pa fakte

22 October 2026, 17:01Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Sulmoi Arbër Berexhën, Shoqata e Prokurorëve reagon ndaj Taulant

Shoqata e Prokurorëve ka reaguar pas akuzave të Taulant Ballës ndaj prokurorit Arbër Berexha.

Balla e akuzoi atë si të lidhur me PD, për shkak se ka liruar nga burgu protestuesit e arrestuar.

“Pavarësia e prokurorëve është garanci për një drejtësi të paanshme dhe zbatimin e barabartë të ligjit për këdo.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh shqetësimin për deklaratat publike që rrezikojnë të cenojnë këtë pavarësi dhe u bën thirrje përfaqësuesve politikë të ushtrojnë të drejtën e kritikës me përgjegjësi, duke shmangur aludimet e pambështetura që shënjestrojnë prokurorët.

Llogaridhënia duhet të mbështetet në fakte dhe procedura ligjore, ndërsa vendimmarrja e prokurorëve duhet të jetë e lirë nga presionet dhe ndikimet politike”, thuhet në deklaratën e Shoqatës së Prokurorëve.

Kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, gjatë një prononcimi për gazetarët pas mbledhjes së Kuvendit ka folur për protestat që po mbahen në kryeqytet dhe dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve.

Ai ka sulmuarr prokurorin e Tiranës, Arbër Berexha që ka liruar një ditë më parë protestuesit. Sipas Ballës, ky prokuror njihet për lidhjet e tij politike me PD-në.

“Një prokuror i Tiranës që dihet për lidhje politike me anëtarë të PD-së, i cili me një të rënë të lapsit pushon çështjen. Nuk di nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë është në detyrë apo shpresoj të jetë në detyrë”, tha Balla.

Kujtojmë se një ditë më parë prokurori Arbër Berexha ka urdhëruar lirimin e protestuesve duke thënë se arrestimet janë të paligjshme.


Video