Tirana ka prekur fundin! Bardheblutë pësuan një humbje turpëruese. Në derbin e kryeqytetit, Dinamo fitoi me shifrat e thella 6-2, në një ndeshje pa shumë histori.
“Nëndetësja blu” zhvilloi njërën prej ndeshjeve më të mira të sezonit, duke dominuar bardheblutë në çdo repart dhe duke shënuar plot gjashtë herë.
Humbje tronditëse për Tiranën, që mbetet në vendin e fundit dhe rreziku i rënies bëhet gjithnjë dhe më i madh.
Dinamo, në anën tjetër, konfirmon formën e mirë dhe rikthehet fuqishëm në garë, duke marrë tre pikë me shumë peshë si në aspektin emocional, ashtu edhe në atë të klasifikimit.
Guindo zhbllokoi takimin në minutën e pestë, ndërsa Qardaku dhe Bregu vazhduan spektaklin e golave në pjesën e parë. Në fundin e fraksionit, Rafa shënoi për Tiranën, duke ngushtuar shifrat.
Në pjesën e dytë, Dinamo shënoi edhe tre herë të tjera, me Lorenco Vilën, Eridon Qardakun dhe Dejvi Bregun. Golin e dytë për Tiranën, e shënoi Etien Tare në minutën e 76-të.
Me këtë sukses, Dinamo ngjitet në vendin e katërt me 23 pikë, ndërsa Tirana mbetet në fund me shtatë pikë.