Kreu i Këshillit Kombëtar ka miratuar sot drafitn për primaret për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie për zgjedhjet lokale që mbahen vitin e ardhshëm. Për primaret do të votojnë jo vetëm anëtarët e Partisë Demokratike, por edhe simpatizantët e saj.
PD do të caktojë nesër grupin negociator që do të hyjë në negociata me aleatët për të vendosur si do të dalin në zgjedhje vendore. Ky grup negociatorësh do të drejtohet nga Sali Berisha.
Nëse në garën për primaret do të hyjnë kryetarët e partive të degëve, atëherë kompetencat e tyre do të ushtrohen nga nënkryetari i degës.
Të gjitha këto detaje i tregoi kryetari i Këshillit Kombëtar Edi Paloka, pas përfundimit të mbledhjes.
Paloka: Sot siç jeni në dijeni me kërkesë të Këshillit Kombëtar të kaluar u shty për sot diskutimi për regulloren e primareve pasi një pjesë e anëtarëve nuk e kishin lexuar dhe nuk e kishin parë mirë.
Sot u diskutua për këtë çështje dhe ato që mund të konsiderohen risi nga primaret e fundit janë që në votime, siç e përcakton Statuti i PD, nuk do të marrë pjesë vetëm anëtarësia e PD por edhe simpatizantët, të cilët siç thatë përcaktohen qartazi në statut, kush janë, si regjistrohen dhe të gjitha modalitetet e tjera që përcaktojnë figurën e simpatizantit.
Statuti gjithashtu e përcakton që simpatizantët kanë të drjetën e votimit në primare, pra në një farë mënyre nuk është risi pasi përcaktohet qartazi në statut.
Çështja tjetër që u diskutua është edhe ajo për kandidimin e kryetarët të degëve dhe pozicioni që do të mbajnë gjatë momentit kur kandidojnë në primare. Pati disa propozime por u miratuar propozimi i grupit të punës dhe i kryesisë, propozim i cili u bë në këtë mbledhje të Këshillit Kombëtar, sipas të cilit kryetarët e degëve që do të kandidojnë në primare gjatë kandidimit funksionet do të kryhen nga nënkryetarët e degëve siç e përcakton edhe statuti i Partisë Demokratike.
Nëse do fitojnë në primare, pra do të shpallen kandidatë zyrtarë të PD për zgjedhjet lokale atëherë statuti parashikon që ata menjëherë nuk do të jenë më në pozicionin e kryetarit të partisë, por do të jenë në pozicionin e kandidatit për pushtetin lokal. E anasjellta, nëse nuk fitojnë në primare do të mbajnë pozicionin kryetarit të partisë.
Gjithashtu u votua edhe për një pikë që ishte e diskutueshme, nëse do të ketë balotazh midis kandidatëve dhe me votim u vendos që balotazhi do të qendrojë si proces gjatë votimit.
Këto ishin 3 risitë, pjesa tjetër është pjesë që është zbatuar edhe në primaret për partinë.
Pyetje: Si do të zgjidhet çështja me aletatë e partisë, a do të ketë negociatë me ata?
Paloka: Menjëherë pas ditës së sotme meqë ishte procesi i miratimit të rregullores, në një farë mënyre pengesë të themi në thonjëza për këtë çështje, menjëherë do të nisin kontaktet me aletatët, me të cilët do të bashkërendohet puna dhe gjithçka tjetër.
Detajet se si do të veprohet në rast se do të vendoset që aleatëve t’u lihet një zonë e lirë apo modalitete e tjera, do të përcaktohen gjatë këtyre bisedimeve.
Pyetje: Kush do të jenë negociatorët me atelatët?
Paloka: Sot mbyllëm rregulloren. Të gjitha këto do të përcaktohen në vazhdim. Nga nesër e tutje do të përcaktohet edhe grupi negociator, por besoj se vetë kryetari i Partisë Demokratike do të jetë negociatori kryesor, pra Z.Berisha.
Pyetje: A pati anëtarë të Këshillit Kombëtar që kërkuan datë proteste?
Paloka: Kjo është një çështje që ishte në rendin e ditës, u diskutua dhe u morrën dhe vendimet e duhura që ju do t’i merrni vesh në kohën e përshtatshme. Z.Biberaj bëri një propozim për një çështje që është diskutuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar.