Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza në drejtim të kreut të qeverisë Edi Rama, në lidhje me vdekjen e Enver Sheshit i arrestuar për çështjen e inceneratorëve.
Sipas Sali Berishës, Komuniteti Shqiptar i Helsinkut nuk u lejua që të hetojë në lidhje me vdekjen e Enver Sheshit. Nga selia blu, drejtuesi i ‘Foltores’ në PD, tha se Enver Sheshi dinte të fshehta e u bë një bllokim total i hetimit nga shoqëria civile për vdekjen e tij.
‘Pra, Enver Sheshi dinte shumë të fshehta. Kishte dëgjuar shumë. Veprimet i kishte kryer me garanci të madhe për mbrojtje. Nuk jam këtu për të bërë nekropolitikë, jo! Por, në çdo rast, vdekje në rrethana të dyshimta, akti i parë me ligje kombëtare dhe ndërkombëtare, është transparenca e plotë për të gjithë ndodhitë. Çfarë ndodhi me Enver Sheshin? Bllokim total i një hetimi nga shoqëria civile. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i sinjalizuar për dyshimet e forta për vdekjen e Sheshit, dërgoi vëzhguesit e pavarur në institucionet përkatëse. Vëzhguesit e pavarur, gjetën në çdo institucion që trokitën, bllokim, mashtrim. Ata konstatuan se drejtori i burgut 313 nuk pranoi t’i lejonte ata të njiheshin dhe të merrnin të dhënat më elementare, madje as të këqyrin qelinë ku i ndjeri Enver Sheshi. Nuk u lejuan të takojnë asnjë gardian, asnjë punonjës të burgut, as ata që vuanin dënimin së bashku me të. Komiteti i Helsinkit gjeti të njëjtën situatë në Prokurorinë e Tiranës dhe Policinë e Shtetit.’- u shpreh Sali Berisha.
"Pra, këto qëndrime, të cilat zëvendësojnë transparencën e domosdoshme në këto rrethana të vdekjes së një njeriu në duart e shtetit, me bllokimin e kësaj transparence, flasin në favor të tezës, të atij mendimi, se kemi të bëjmë me një akt të mafies. Në vdekjen e Enver Sheshit ka gisht mafia qeveritare e djegësave.
Sot u bëj thirrje Komitetit Antitorture të Këshillit të Europës, Komisionit të Drejtave të Njeriut të OKB, por edhe Amnesty International, të bëjnë gjithçka për të zbardhur vdekjen e këtij qytetari, e cila është vdekja e radhës në vdekjet e shumta në institucionet e vuajtjes së dënimit, ku aplikohen torturat dhe kanë humbur jetën shumë e shumë të burgosur dhe të paraburgosur në duart e këtij shteti mafioz", tha Berisha.