I pyetur se pse nuk pranon ftesën e kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha për debat, kryeministri Edi Rama tha sonte në “Opinion” se “me të vdekurit nuk flet”.
Blendi Fevziu: Vetëm 5 minuta thotë zoti Berisha…
Edi Rama: Ajo që unë nuk bëj është që njerëzit që më duan të mirën të mos më lënë mua siç e latë ju këtë. Ik në shtëpi tashi…
Blendi Fevziu: Ju s’jeni psikolog…E nxorët ju nga shtëpia, ai ishte në punë të vet.
Edi Rama: Sipas tij Amerika na qenka një leckë që kush të dojë mund ta marrë dhe të fshijë këmbët, a jeni në vete apo jo? Or zotëri nuk lobohet shteti i Amerikës, mund të lobohet senati ose të paguash para e të marrësh ndonjë kongresmen a senator për krahu që nuk e di ku bie vendi jot. Është superfuqi Amerika!
Blendi Fevziu: Pse nuk vjen të bësh debat me kryetarin e opozitës? Ti ke dalë para 20 vjetësh dhe ke bërë debat me kundërshtarin tuaj në Bashki.
Edi Rama: Unë me të vdekurit nuk flas, ma thotë bukur Bibla e gjyshes time, “lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit”.
Kreu i PD-së i bëri thirrje për debat kryeministrit teksa ishte i ftuar në “Opinion” mbrëmjen e 2 Shkurtit të këtij viti. “Bëhu burrë thuaji, hajde vetëm 5 minuta dhe trego sa të vlen lëkura”, tha Berisha.