15-vjetori i pavarësisë së Kosovës, Begaj takim me Kurtin: Sovraniteti dhe integriteti territorial, i pacenueshëm

16 February 2023, 18:29Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
15-vjetori i pavarësisë së Kosovës, Begaj takim me Kurtin:
Bajram Begaj dhe Albin Kurti

Me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj është pritur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Begaj ka vlerësuar arritjet e Kosovës në 15 vite si shtet i pavarur, ndërsa siguroi kryeministrin Kurti se Shqipëria do të jetë në krah të saj sa i përket integrimit në organizmat ndërkombëtarë.

Sipas Begajt, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të pacënueshme sa i përket provokimeve të fundit të Serbisë.

“Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në kuadër të vizitës në Kosovë dhe pjesëmarrjes në ceremonitë shtetërore për kremtimin e 15-vjetorit të Ditës së Pavarësisë, është pritur sot në një takim të veçantë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Presidenti Begaj e uroi Kryeministrin Kurti për 15-vjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës dhe përshëndeti arritjet e Kosovës në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës, në respekt të plotë të angazhimeve të marra 15 vjet më parë. Duke u ndalur tek dialogu Kosovë-Serbi, Presidenti Begaj vlerësoi domosdoshmërinë e vijimit të këtij dialogu dhe e siguroi Kryeministrin Kurti, se Shqipëria do të jetë krah Kosovës dhe institucioneve të saj në të gjitha sfidat dhe përpjekjet për të zënë vendin që meriton në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare e rajonale. Presidenti Begaj theksoi qëndrimin se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës janë të pacënueshme. Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin shumë të mirë e strategjik midis dy shteteve dhe nënvizoi nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve në të gjitha fushat, në dobi të marrëdhënieve ndërshtetërore por edhe të bashkëpunimit kombëtar, si në rajon ashtu edhe në diasporë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.


Video