Fevziu: Përgjegjës për gjendjen e PD-së sot, Berisha. Përçarja e opozitës, favorizoi Ramën

20 Mars 2023, 22:14Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fevziu: Përgjegjës për gjendjen e PD-së sot, Berisha

Në studion e emisionit ‘Të Paekspozuarit’, gazetari Blendi Fevziu ka deklaruar se përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet sot Partia Demokratike është dhe vetë Sali Berisha.

Ai tha se problemi më i madh ka ardhur nga mbështetja e Berishës për Bashën dhe se sipas tij nëse nuk do kishte ndodhur ‘non grata’, Basha sot mund të ishte ende kryetari i PD-së.

“Ka përgjegjësi dhe Berisha për gjendjen ku erdhi partia demokratike, një prej tyre është mbështetja e madhe e tij ndaj Bashës. Problemi më i madh i Berishës është mbështetja e tij ndaj Bashës pas humbjes së zgjedhjeve të 2017 kur ai kuptoi se Basha hyri në zgjedhje në kompromis me Ramën ishte një gabim fatal, vetë çadra ishte një gabim fatal, por sidomos mbështetja e Bashës pas humbjes së zgjedhjeve 2021. Nëse nuk do ishte vendimi i SHBA-ve për shpalljen non grata dhe vendimi i Bashës, ky i fundit sot do ishte akoma kryetar i PD-së dhe një Parti Demokratike që ishte një opozitë që se kuptonte çfarë po bënte dhe ku po shkonte. Berisha e mbështeti Bashën dhe në këtë aspekt Berisha ka përgjegjësinë e tij. Pjesa e dytë është pamundësia që ai pati për të hapur Partinë Demokratike shumë më tepër se sa unë e mendoja pasi ai fitoi ardhjen në krye të PD në mars prill 2022”.

I pyetur lidhur me akuzat e Berishës që i konsideron Alibeajn dhe Bashën si pengje të Ramës, Fevziu tha se nuk ka ndonjë fakt konkretë që ta thotë këtë, por këto lëvizje shtoi ai dihet që i shërbejnë Ramës.

“I shërbejnë Ramës këto lëvizje të Alibeajt dhe Bashës, se mbajnë të përçarë PD-në, por a janë të shitur këtë se them dot sepse nuk kam ndonjë fakt. Njerëzit luajnë dhe për interesat e tyre private të cilat në një moment të caktuar përkojnë me interesat e palës tjetër. Unë mund të them se veprimet që u ndërmorën çuan në një çarje të partisë demokratike dhe që favorizuan Ramën, por që të jenë të shitur nuk mund ta them dot”.

Fevziu deklaroi se Ilir Meta ka një parti votash të cilat nëse do i ruajë, ato vota do jenë jetike për opozitën. Ai tha se votat e Metës për të përcaktuar një fitore të opozitës janë të domosdoshme.

“Mendoj se Ilir Meta ka një parti votash që do përcaktojë sa janë. Dhe ne se dimë se sa është rezervuari i Partisë së Lirisë dhe se dimë se sa do ta riaktivizojë elektoratin e tij. Meta është një njeri, lloj kafshe politike dhe nëse do ti ruajë këto vota ato janë jetike për opozitën. Votat e Ilir Metës për të përcaktuar një fitore të opozitës janë të domosdoshme e do apo jo Ilir Metën”.

Ndërsa lidhur me përfshirjen e bandave kriminale në fushatë, Fevziu e cilësoi si katastrofë.

“Përfshirja e bandave në zgjedhje është katastrofë. E dyta kam një bindje të fortë që nuk të japin vota por më shumë të dëmtojnë. Në Tiranë përshembull të mendosh se do marrësh vota me banda është e pamundur, prandaj i drejtohem çdo politikani se tentativa për të përfshirë persona kriminalë në zgjedhje është kriminale”.

 

 

Video