Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se e ka marrë vesh nga mediat lajmin se djali i tij, Shkëlzen Berisha është thirrur në SPAK për çështjen e Gërdecit.
I ftuar në emisionin “Open”, Berisha tha se kjo thirrje në SPAK u bë për të tërhequr vëmendjen nga skandali Rama – McGonigal.
Ish-kryeministri tregoi edhe versionin e tij për shkresën që mbante emrin e Shkëlzen Berishës. Sipas tij, ai shkrim është falsifikuar dhe për këtë ministri i Drejtësisë në atë kohë ka bërë kallëzim penal, por që Prokuroria nuk është marrë me atë çështje.
Pjese nga biseda
Berisha: Komenti im është ky, që të jem i sinqertë e kam marrë vesh nga mediat që djali im është thirrur në prokurori.
Pyetje: Nuk komunikoni me djalin?
Berisha: Komunikojmë, por nuk më kishte thënë që sot është thirru ne SPAK. Problemi është i tillë. Ekziston një faks që origjinali nuk është gjetur kurrë, i dërguar nga Ministria e Drejtësisë në Ministrinë e Mbrojtjes, në të cilin shkruhet se kjo ti jepet Shkëlzenit.
Kjo është serviurur si shkrim i Aldo Bumçit, kjo ka ndodhur një javë pasi Ministria e Drejtësisë kishte dërguar shkresën zyrtar në Ministrin e Mbrojtjes për çështjen.
Çfarë ishte kjo? Kjo ishte sikur gjoja nga Ministria e Drejtësisë i drejtohej djalit tim në Ministrin e Mbrojtjes me të cilin ky nuk kishte asnjë lidhje dhe sikur këtë e kishte shkruar Aldo Bumçi.
Aldoi Bumçi nuk e kishte shkruar kurrë këtë. Ai e paditi në prokurori si falsifikim të shkrimit të tij. Padi me të cilin prokuroria nuk u mor kurrë.
Aldo Bumçi e mohon në mënyrë kategorike dhe ka hapur padi për këtë faks ku i falsifikohet firma. Thërret Shkëlzenin pas 15 vitesh. Sigurisht që duhet hetuar, por hetimi i parë është i ish ministrit i cili ka deklaruar se më kanë falsifikuar shkrimin. Thirrja në SPAK është për të zhurmuar superskandalin Rama-McGonigal.