Dërgimi i mesazheve me mesazh elektoral në celularët e qytetarëve nga partitë politike apo kandidat është i paligjshëm.
Me këtë deklaratë, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, ka dënuar mesazhet e dërguara automatiksht për qytetarët e Tiranës kandidati i Meta-Berisha për kryeqytetin, Belind Këlliçi.
Komisioneri ka paralajmëruar për penalizime të të gjithë subjekteve zgjedhore që e kanë bërë apo do të vijojnë ta bëjnë një gjë të tillë.
Dërgimi i SMS konsiderohet përpunim i paligjshëm i të dhënave personale dhe çdo subjekt zgjedhor apo operator ekonomik do të penalizohet sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
“Ditët e fundit është konstatuar një dërgim masiv mesazhesh të një subjekti zgjedhor në drejtim të qytetarëve nëpërmjet shërbimit të telefonisë së levizshme.
Kjo veprimtari konsiderohet përpunim i paligjshëm i të dhënave personale dhe vjen në kundërshtim me parashikimet e ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka vendosur në dispozicion të partive politike dhe të çdo subjekti zgjedhor, por edhe të gjithë publikut Udhëzuesin “Për përpunimin e të dhënave personale në kontekstin e fushatave zgjedhore”.
Në këtë dokument shpjegohet edhe më qartë qasja në raport me përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale. Zyra e Komisionerit do të hetojë çdo rast të shkeljes së ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” nga çdo subjekt zgjedhor apo operator ekonomik. Zyra e Komisionerit, gjithashtu, u bën thirrje të gjithë subjekteve zgjedhore të ndalojnë menjëherë çdo përpunim të paligjshëm të të dhënave personale", thuhet në deklaratë.