Denoncimi i Ina Zhupës: Në Sarandë 1200 nxënës nuk dinë ku të shkojnë, rikonstruktohet shkolla në mes të vitit

2 Tetor 2022, 12:06Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ina Zhupa

Një shkollë në Sarandë me 1200 nxënës do të rikonstruktohet por sipas një denoncimi të deputetes së Partisë Demokratike Ina Zhupa, kjo do të bëhet ndërkohë që viti shkollor ka filluar dhe nxënësit ende nuk e dinë se ku do të shkojnë.

Zhupa ka qenë sot në Sarandë, ku nga ambiente e shkollës “Adem Sheme”, është shprehur se ky institucion arsimor së bashku me shkollën ‘9 Tetori’ janë të vetmet shkolla në qytet dhe tashmë që e para është në rregullim ende nuk ka asnjë zgjidhje për 1200 nxënës.

 “Mbrapa nesh ndodhet shkolla “Adem Sheme”, e cila bashkë me shkollën “9 Tetori” janë dy shkollat e vetme që ofrojnë shërbime për nxënësit e Sarandës. Aktualisht të dyja janë të mbingarkuara me nxënës.

Mbahen rreth 1200 nxënës dhe zhvillojnë mësimin me turne.  Nëse situata do të ishte marrë parasysh dhe do të ishte zgjidhur duke hapur dhe duke vënë në funksion ecokampusin ne nuk do të ishim të detyruar sot që të denonconim rastin e radhës kur institucionet shtetërore neglizhojnë dhe nuk marrin parasysh interesat e nxënësve dhe mësuesve, siç është rasti konkret.  Shkolla mbrapa nesh, “Adem Sheme” ka pasur nevojë për rikonstruksion. Dhe ky rikonstruksion nuk është bërë gjatë periudhës së verës kur mësuesit dhe nxënësit janë pushim, por zgjidhet që tani, në mes të procesit mësimor, të kërkohet të bëhet rikonstruksioni. Dhe këta 1200 nxënës plus stafi akademik të sistemohen diku tjetër. Por ku? Këtë nuk di ta thotë asnjë institucion shtetëror, as bashkia, as ministria. Sepse punojnë pa plan, punojnë duke u nisur nga interesat e momentit. Dëgjohet në qytet që këta nxënës mund të çohen në shkollën e mesme ekonomike, duke u bashkuar me gjimnazistë me të cilët ata nuk mund të qëndrojnë për shkak se janë nxënës të shkollës fillore”, tha deputetja Zhupa.

Në prononcimin nga Saranda Zhupa u shpreh se arsimi është harruar kudo e sidomos në Sarandë pasi sipas saj gjendja se si shkollohen nxënësit e Sarandës është e mjerueshme dhe e lënë në harresë sipas saj.

Në fakt në të gjithë Shqipërinë, siç e kemi denoncuar këto ditë me fakte dhe prova, kudo gjendja është e mjerueshme dhe është një nga arsyet e shumta pse të rinjtë emigrojnë dhe pse familjet shqiptare, për arsimin e fëmijëve të tyre, zgjedhin që të ikin nga Shqipëria. Sepse arsimi është në rrezik, Shqipëria është në rrezik”, ka përfunduar denoncimin e saj Ina Zhupa.

Video