A u pagua artikulli i Agim Neshos në Fox News?!

21 Qershor 2025, 14:01Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha/ Edi Rama/ Agim Nesho/ LaCivita

Një artikull i publikuar së fundmi në Fox News, që portretizon kryeministrin Edi Rama si një “autokrat” dhe opozitën si shpëtimtare të demokracisë në Shqipëri, ka ngritur dyshime për mënyrën se si ky artikull ka përfunduar në një prej platformave më të ndikuara në SHBA.

Artikulli është publikuar në rubrikën "Opinion" të Fox News, dhe në krye mban emrin e autorit, Agim Nesho.

Kjo nënkupton se artikulli nuk është linjë editoriale e medias amerikane Fox News, por është një opinion personal i ish diplomatit Agim Nesho, për të cilin mund të ketë paguar para për publikimin e saj.

Prestigjozja Fox News ofron shpesh artikuj nëpërmjet një marrëveshjeje komerciale – një praktikë që njihet si op-ed i sponsorizuar.

Kjo do të thotë se dikush mund të paguajë për hapësirën në Fox News, jo për të informuar, por për të ndërtuar një narrativë të caktuar politike dhe ku përgjegjësinë e shkrimit e merr drejtëpërdrejtë Autori.

Por a është ky një artikull i rregullt editorial, apo një “paid placement”?

Kush e ka negociuar dhe paguar për publikimin e tij?

A është përdorur ndonjë kompani lobimi amerikane për të mundësuar publikimin në një media si Fox News, e cila njihet për lidhjet me Republikanët e Donald Trump?

Një akt i paprecedent

Nuk njihet asnjë shembull i ngjashëm në vendet e NATO-s apo BE-së – ku një ish-diplomat dhe zyrtar i një partie opozitare i drejtohet një mediaje të huaj me një qëndrim të tillë ekstrem kundër vendit të vet.

Në të shkuarën, edhe media të tjera ndërkombëtare, kryesisht gjermane, kanë ndërmarrë artikuj kundër qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama.

Por, ndryshe nga sot, asokohe autorësia ka qënë linjë editoriale e medias, dhe jo opinion personal i një zyrtari të opozitës.

Nëse vërtetohet se artikulli është paguar, atëherë kemi të bëjmë me një skandal të rëndë moral dhe politik, ku interesat partiake vihen mbi interesat kombëtare.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video