Vodhi këngët e Ed Sheeran, hakeri dënohet me 18 muaj burg

21 October 2022, 23:43Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vodhi këngët e Ed Sheeran, hakeri dënohet me 18 muaj burg
Ed Sheeren dhe hakeri

Hakeri i cili vodhi dy këngë të papublikuara të këngëtarit Ed Sheeran dhe i shiti më pas në treg të zi, u dënua me 18 muaj burg. Adrian Kwiatkowski tregtoi muzikën e Sheeran dhe 12 këngë të reperit Lil Uzi Vert në këmbim të kriptomonedhave.

23-vjeçari, nga Ipswich, arriti t'i kapte ato pasi kishte hakuar llogaritë digjitale të interpretuesve, tha Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës.

Sipas BBC, Kwiatkowski pranoi 19 akuza, duke përfshirë shkeljen e të drejtave të autorit dhe përvetësim prone. Sipas policisë së Londrës, ai kishte firuar nga shitja e këngëve 131.000 £

Kur u kontrollua laptopi Apple Mac i të pandehurit, Gjykata e Ipswich Crown zbuloi  565 skedarë audio, përfshirë këngët e Sheeran dhe Vert. 

Një hetim për këtë çështje nisi nga autoritetet amerikane në vitin 2019, pasi menaxheri i disa muzikantëve raportoi  në Prokurorinë e Qarkut të Nju Jorkut se dikush i njohur në internet si Spirdark kishte hakuar një numër llogarish dhe po shiste përmbajtjen e tyre.

Hetimi lidhi adresën e e-mailit të përdorur për të krijuar llogarinë e kriptomonedhës së Spirdark me atë të Kwiatkowski. Adresa e tij e shtëpisë në Mbretërinë e Bashkuar ishte gjithashtu e lidhur me një adresë IP e përdorur për të hakuar një nga pajisjet.

Çështja më pas iu referua policisë së qytetit të Londrës dhe Kwiatkowski u arrestua në Shtator 2019. Sipas policisë, u sekuestruan shtatë pajisje, duke përfshirë një hard disk që përmbante 1263 këngë të papublikuara nga 89 artistë.

Një dokument i ruajtur në hard disk përmbledh metodën që ai kishte përdorur për t'i marrë ato së bashku me një rezervë Bitcoin që u sekuestrua. Kryeprokurorja e kurorës Joanne Jakymec tha se Kwiatkowski kishte "mospërfillje të plotë" për krijimtarinë, punën e palodhur dhe të ardhurat e humbura të muzikantëve.

Në Gusht, Kwiatkowski u deklarua fajtor në Gjykatën e Magjistraturës Ipswich për tre akuza për akses të paautorizuar në materiale kompjuterike, 14 akuza për shitjen e materialit me të drejtë autori, një akuzë për konvertim të pronës kriminale dhe dy akuza për posedim të pronës kriminale.

Ai gjithashtu pranoi se kishte marrë kriptomonedhë bitcoin për këngët. Detektivi Daryl Fryatt tha se Kwiatkowski ishte shumë i aftë, por ishte për të ardhur keq që ai përdori talentin e tij në mënyrë të paligjshme.

"Ai jo vetëm që u shkaktoi disa artistëve dhe kompanive të tyre të prodhimit dëm të konsiderueshëm financiar, por i privoi ata nga aftësia për të nxjerrë veprën e tyre," shtoi ai


Video