
Belina Pupa, terapiste dhe influencuese e njohur në rrjetet sociale është vënë nën akuzë në Australi për kultivimin e një sasie droge të kontrolluar dhe ndërhyrje të paautorizuar në furnizimin elektrik.
Pupa po përballet me akuzën e kultivimit të 43 bimëve kanabisi në një pronë në Ascot Park.
Sipas dokumenteve gjyqësore, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në periudhën 1 janar - 4 prill 2025. Ajo u paraqit në Gjykatën e Magjistraturës në Adelaide, por ende nuk ka paraqitur një deklaratë për akuzat.
Avokatët e saj kanë kërkuar ndryshime në kushtet e lirimit me kusht për të lejuar udhëtimet e saj ndërkombëtare për arsye pune, duke theksuar se ajo ka klientë në Shqipëri, SHBA dhe Australi. Megjithatë, prokurorët kundërshtuan këtë kërkesë.
Belina Pupa dha një përgjigje për Dritare TV:
“Përshëndetje Dritare TV. Bëhet fjalë për një pronë të dhënë me qira por që është me emrin tim. Gjyqi po mbahet për pasqyrimin e fakteve. Nuk mund të them asgjë më shumë, derisa çështja të mbyllet, për arsye hetimesh në radhë të parë por edhe për të qenë e qartë për të gjithë në fund, në radhë të dytë. Ju falënderoj që më pyetët përpara se të shpërndanit një lajm të përçudnuar!”, shkruan zonja Pupa në reagimin e saj.