Votim me armën te koka, Rusia premton "mbrojtje të plotë" për çdo rajon ukrainas që do të aneksohet

25 September 2022, 19:16Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Votim me armën te koka, Rusia premton "mbrojtje të
Të votosh në luftë, me armën “te koka”

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se rajonet e Ukrainës ku po mbahen referendume që janë hedhur poshtë nga Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë, do të jenë nën "mbrojtjen e plotë" të Rusisë nëse aneksohen nga Moska.

Referendumet në katër rajone lindore të Ukrainës, që synojnë aneksimin e territorit që Rusia ka marrë me forcë që kur filloi agresionin e saj në shkurt, vazhduan për të tretën ditë të dielën dhe parlamenti rus mund ta zyrtarizojë aneksimin brenda pak ditësh.

Duke i pretenduar si të vetat Luhanskun, Donetskun, Khersonin dhe Zaporizhzhian, Moska mund t'i karakterizojë përpjekjet e Ukrainës për t'i rimarrë ato, si një sulm ndaj vetë Rusisë, një paralajmërim për Kievin dhe aleatët e tij perëndimorë.

Ndërkohë, janë publikuar pamje nga dita e dytë e votimit në referendumin në 4 provincat e Ukrainës, i cili është organizuar nga prorusët me mbështetjen e Moskës dhe që kërkon bashkimin e tyre me Rusinë.

Kremlini ka dërguar ushtarët për të nxjerrë me dhunë banorët që të votojë, ndërsa persona të armatosur janë një kërcënim real për qytetarët e pafajshëm të atyre 4 rajoneve.

“Familja ime sapo u detyrua me armë që të votonte në lojën e Rusisë për referendum”, tha gazetari i Hromadske International, Maxim Eristavi.


Ai publikoi edhe pamje nga të cilat pretendon se tregojnë ushtarët e armatosur që qëndrojnë në ambientet ku familja e tij është detyruar të votojë në favor të bashkimit me Rusinë.

Aneksimet ruse rrisin rrezikun e një konfrontimit të drejtpërdrejtë ushtarak midis Rusisë dhe aleancës ushtarake të NATO-s pasi trupat ukrainase po përdorin armët perëndimore.

Ukraina dhe aleatët e saj i kanë hedhur poshtë referendumet si një lëvizje e sajuar për të justifikuar një përshkallëzim të luftës dhe një nxitje mobilizimi nga Moska pas humbjeve të fundit në fushën e betejës.


Video