Turqia aktualisht po përjeton garën më të paqartë zgjedhore në dekadat e fundit, pasi dy kandidatët për president, Recep Tayyip Erdogan dhe Kemal Kilicdaroglu, janë shumë afër në sondazhe, megjithëse përfaqësojnë dy botë krejtësisht të kundërta.
Presidenti aktual, 69-vjeçari Rexhep Tajip Erdogan ka qenë në pushtet për më shumë se 20 vjet dhe aktualisht po përjeton sfidën më të madhe politike të karrierës së tij e përballë ka një prej kundërshtarëve më të fortë nga ana e opozitës.
Ajo që ka ndryshuar në këto vite është se për herë të parë gjashtë parti opozitare kanë bashkuar forcat për zgjedhjet e sotme presidenciale dhe parlamentare, duke zgjedhur liderin e opozitës Kemal Kilicdaroglu si kandidat të aleancës së tyre. Bashkimi i forcave opozitare u shkaktua për shkak të akuzave se Turqia është bërë gjithnjë e më autoritare nën Presidentin Erdogan dhe opozita kërkon të vendosë një pengesë për shndërrimin e vendit në një “autokraci parlamentare”.
Në të njëjtën kohë, presidenti turk duket i pambrojtur, me Turqinë që po përballet me një shpërthim inflacioni, pas tronditjes së fortë, sociale dhe ekonomike, nga tërmetet e dyfishta që lanë 50 mijë të vdekur.
Në këtë peizazh, çdo kandidat presidencial që mund të sigurojë më shumë se gjysmën e votave (50% plus 1) në zgjedhjet e sotme presidenciale do të jetë fituesi absolut. Ndryshe, “ndeshja” do të zhvendoset në raundin e dytë dy javë më vonë, më 28 maj.
Në bazë të përllogaritjeve, 64.1 milionë turq kanë të drejtën e votës, brenda dhe jashtë vendit. Duhet theksuar se Partia Zhvillim dhe Drejtësi (AKP)i themeluar nga Erdogan ka qenë në pushtet që nga nëntori i vitit 2002 dhe ka qeverisur Turqinë që nga viti 2003. Rezultati i kësaj është se brezi i ri, një grup prej pesë milionë votuesish që ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar për herë të parë në këto zgjedhje, nuk ka përjetuar asnjë lider tjetër. Dhe kjo sepse, Rexhep Tajip Erdogan ishte fillimisht kryeministër, por më pas u zgjodh president në vitin 2014, duke u rritur edhe më shumë.