Ditën e sotme po mbahen në veri të Kosovës zgjedhjet e parakohshme lokale, ku janë planifikuar të hapen 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 do të jenë alternative apo të ashtuquajtura “kontejnerë”.
Zgjedhjet e parakohshme lokale po mbahen në katër komunat me shumicë serbe më konkretisht në Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç.
Pak minuta pas orës 7:00 kanë nisur të hapen disa qendra të votimit, ndërsa në disa të tjera ka vonesa, për shkak të mosmbërritjes së materialit zgjedhor.
Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviç, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.
Lista Serbe (partia më e madhe e serbëve në Kosovë), nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.
Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.
