Rusia ka kërcënuar se do të sulmojë anijet që transportojnë grurë nga portet e Ukrainës, një ditë pas tërheqjes nga marrëveshja.
Në një deklaratë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes thuhet se nga data 20 korrik, të gjitha anijet që lundrojnë në Detin e Zi do të konsiderohen si transportues potencialë të ngarkesave ushtarake.
“Vendet e përfaqësuara në flamujt e anijeve të tilla do të konsiderohen të përfshira në konfliktin ukrainas në anën e regjimit të Kievit”, thuhet më tej në deklaratë.
Rusia deklaroi se nuk do të rinovojë marrëveshjen mes Ukrainës, të mbështetur nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara për krijimin e një korridori të sigurtë për kalimin e anijeve me grurë.
Ekspertët perëndimorë kanë deklaruar se Rusia kërkon të eksportojë produktet e veta ushqimore dhe plehrat kimike. Bllokimi i transportit të grurit pritet të prekë në pjesën më të madhe vendet e varfëra të Afrikës dhe Lindjes së Mesme.