Pas afro 17 muajsh nga lufta në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se nuk i refuzon bisedimet për arritjen për paqen.
“Nuk mund ta ndalim luftën kur na sulmojnë. E dini, unë gjithmonë them se nuk i kemi refuzuar kurrë bisedimet e paqes”, tha Putin.
Ai po fliste në një konferencë për shtyp pas takimit me udhëheqësit afrikanë në Shën Petersburg të premten. Presidenti rus theksoi se Ukraina duhet të pranojnë realitet e ri territorial.
Sakaq Moska u zgjua nën sulmin e dronëve ukrainas të dielën. Pamjet e shpërndara në mediat sociale shfaqin shpërthimin e madh që ndodhi në një ndërtesë të lartë në qendër vetëm 2.8 kilometra larg Kremlinit.
Mediat ruse dhanë lajme kontradiktore. Fillimisht thanë se dronët u neutralizuan nga ushtria ruse, ndërsa më vonë kur në mediat sociale u shpërndanë video thanë se një person u plagos.
Agjencia e lajmeve TASS duke cituar shërbimet e urgjencës, tha se “një roje sigurie u plagos në një ndërtesë si pasojë e shpërthimit. Xhamet nga kati i parë deri në katin e katërt u thyen si rezultat i shpërthimit,” tha burimi.