Kosova dhe Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshje për “qiellin e hapur”

14 April 2023, 16:06Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kosova dhe Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshje për
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takimin kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen dypalëshe për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takimin kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç me të cilin kanë nënshkruar marrëveshjen dypalëshe për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes kryeministri Albin Kurti ka pohuar se ky është një hap i rëndësishëm dhe domosdoshëm. Me këtë marrëveshje sipas tij, shkurtohet rruga për 15 minuta.

“Ky është një hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Marrëveshja ofron mundësi të reja si dhe  shkurtimin e rrugëve ajrore për 15 minuta. Një kompani ajrore e cila ka pasur 4 fluturime brenda ditës me këtë marrëveshje mund ta shtoj dhe një fluturim. Deri tani korridoret shfrytëzoheshin vetëm për fluturimet  e Natos”.

Ai po ashtu tha se sot qytetarët e Kosovës jo vetëm që shkojnë në Mal të Zi për të pushuar në bregdet, por edhe janë investitorë ekonomik.

“Pata kënaqësinë të mirëpres në takim kryeministrin Abazoviq me të cilët biseduam për marrëdhëniet e mira fqinjësore mes dy vendeve. Mundësitë e mira për dy vendet tona ishin në fokus të këtij takimi. Mali i zi e njohu Kosovën në vitin 2008.

Jemi mirënjohës që në kohëra më të vështira Mali i Zi u bë strehë për Kosovën në shpëtimin për mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës që u dëbuan nga regjimi i Millosheviçit. Qytete të shumta i hapën zemrat duke i strehuar refugjatët nga Kosova.

Sot qytetarët e Kosovës jo vetëm që kanë pushuar në bregdetin e Malit të Zi, por edhe investitorë të rëndësishëm të cilët i kontribuojnë ndërlidhjes ekonomike mes dy vendeve tona. Sot punojmë ngushtë si dy shtete fqinje për të promovuar paqen e sigurinë”.

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka thënë sot se kanë raportet të shkëlqyera me Kosovën.

Abazoviq në konferencën e përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, u deklarua se qasja e Malit të Zi ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë, pavarësisht se atje kanë ndodhur disa procese politike.

“Mali i Zi dhe Kosova janë duke dhënë shembull se si funksionojnë dy shtete fqinje. Jemi në rrugë të duhur që të bëjmë disa projekte që do t’i quaja histori. Ideja jonë është me kriju qasje më të lehte për dy popujt e vendeve tona.

Na vijmë me një mesazh paqësor, miqësor edhe në të ardhmen do të kemi një atmosferë ku do të japim shembull. Në Mal të Zi kanë ndodhë disa procese politike, por kjo nuk do të ndryshon qasjen ndaj Kosovës. Ne jemi të gatshëm me kapacitetet tona të përkrahim Kosovën”

Abazoviç dhe delegacioni që e shoqëron, para takimit me Kurtin u prit nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili ia dhuroi “Çelësin e Prishtinës”.

Ndryshe, Abazoviç ka mbërritur në Prishtinë gjatë së enjtes dhe vizitoi objektet fetare e kulturore, përfshi Xhaminë e Çarshisë në Prishtinë si dhe Katedralen Nënë Tereza.

Kryeministri i Malit të Zi gjithashtu takoi edhe ish-presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në vijim të vizitës së tij, që pritet të mbyllet të shtunën, Abazoviç ka paralajmëruar takim edhe me drejtues të partive politike parlamentare. Ai do të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Po ashtu, Abazoviç do të takojë zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, grupin multietnik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe ministrat nga komunitetet jo shumicë.

Abazoviq gjatë vizitës së punës në Kosovë do ta vizitojë Pejën, ku do të takohet me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri dhe do ta shoh nga afër zbatimin e projekti të IPA-s, i cili po realizohet ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës. Pjesë e agjendës së Abazoviç janë edhe takimet me konsullin e nderit të Malit të Zi në Kosovë, Gazmend Abrashi, dhe me konsullin e nderit të Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Shkëlqim Devolli. Gjithashtu, janë paraparë takime me organizata dhe në universitete private./Monitor


Video