Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit

2022-03-23 17:14:52Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka deklaruar se Këshilli Mbikëqyrës i BSH, ka vendosur rritjen me 0.5 pikë përqindje të normës bazë së interesit, nga niveli 0.5% në nivelin 1.0%., mbajtjen e normës së interesit të depozitës një ditore, në nivelin aktual prej 0.1%, rritjen e normës së interesit të kredisë njëditore, nga niveli 0.9% në nivelin 1.9%.

“Politika jonë monetare ka qenë në pozita tejet stimuluese gjatë dy viteve të fundit. Ajo ka synuar nxitjen e kërkesës agregate gjatë pandemisë, si një parakusht për respektimin e objektivit tonë të inflacionit. Kjo politikë ka rezultuar e suksesshme në misionin e saj.

Megjithatë, goditja aktuale e ofertës dhe fortësia e kërkesës agregate, rrezikojnë të cenojnë objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm.

Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

Rritjen me 0.5 pikë përqindje të normës bazë së interesit, nga niveli 0.5% në nivelin 1.0%.

Mbajtjen e normës së interesit të depozitës një ditore, në nivelin aktual prej 0.1%;

Rritjen e normës së interesit të kredisë njëditore, nga niveli 0.9% në nivelin 1.9%.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se – edhe pas kësaj lëvizjeje – qëndrimi i politikës monetare vijon të jetë stimulues për rritjen e ekonomisë, të punësimit dhe të pagave. Në realitetin e ri, ky qëndrim ofron një balancë më të mirë midis rrezikut të përshpejtimit të inflacionit dhe rrezikut të dëmtimit të rimëkëmbjes ekonomike”, tha Gent Sejko.


Video