Ditmir Bushati: Të rinjtë kërkojnë një Shqipëri të re, PS duhet të ngrihet në lartësinë e kohës

20 October 2026, 18:04Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ditmir Bushati: Të rinjtë kërkojnë një Shqipëri

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar për herë të parë lidhur me protestat masive të të rinjve dhe qytetarëve që po kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

Në një mesazh publik, Bushati tha se mbështet kërkesat e studentëve dhe të rinjve, ndërsa u shpreh kundër akteve të dhunës dhe, njëkohësisht, kundër brutalitetit të policisë.

Duke e nisur mesazhin nga këndvështrimi i tij si prind, Bushati tha se është në krah të të rinjve që kërkojnë të ndërtojnë një jetë me dinjitet në Shqipëri. Si pjesë e botës universitare, ai deklaroi se mbështet kërkesat e studentëve, duke e cilësuar këtë brez si një forcë që nuk pranon të pajtohet me atë që i ofrohet si normalitet.

“Si prind jam me të rinjtë që kërkojnë një jetë me dinjitet në atdheun e tyre. Si njeri i botës universitare mbështes plotësisht kërkesat e studentëve. E ardhmja do të përcaktohet nga aspirata, revolta dhe energjia e një brezi që nuk pranon të pajtohet me atë çka u ofrohet si normalitet. Si qytetar jam kundër akteve të dhunës dhe kundër brutalitetit të policisë”, u shpreh Bushati.

Duke iu referuar historisë së tranzicionit shqiptar, ish-ministri i Jashtëm tha se të rinjtë kanë luajtur një rol në momentet e kthesave politike të vendit, duke përmendur protestat e vitit 1990 dhe zhvillimet e vitit 1996. Sipas tij, mosmarrja në konsideratë e kërkesave të të rinjve në të kaluarën ka paralajmëruar kriza të mëdha.

Bushati argumentoi se protesta e sotme lidhet me një pakënaqësi më të gjerë ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, përqendrimit të pushtetit dhe vështirësive ekonomike.

“Rinia kërkon një Shqipëri të re, sepse refuzon normalizimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në jetën publike; personalizimin e tejskajshëm të pushtetit që e trajton atdheun si plaçkë; modelin e kapitalizmit grabitqar që prodhon kosto të papërballueshme jetese, braktisje të vendit dhe polarizim shoqëror”, deklaroi ai.

Ish-ministri kritikoi edhe mënyrën se si, sipas tij, është menaxhuar reagimi ndaj protestave.

Ai tha se përpjekjet për të ndarë të rinjtë në “të mirë” dhe “të këqij”, gjuha kërcënuese dhe përdorimi i forcës nuk do ta shuanin revoltën. Bushati kundërshtoi gjithashtu shpjegimet që ia atribuojnë protestat faktorëve të huaj.

Në përmbyllje, Bushati iu drejtua edhe Partisë Socialiste, duke kërkuar që ajo të reflektojë përballë situatës.

“Të rinjtë kërkojnë një Shqipëri të re. Tani është detyrë e mësuesve, prindërve, sipërmarrësve, punëtorëve, akademikëve, dhe po, para së gjithash, e Partisë Socialiste që të ngrihet në lartësinë që e thërret koha. Partia Socialiste duhet të dallojë atë që i përket një momenti politik nga ajo që i detyrohet Shqipërisë”, theksoi Bushati.

 


Video