Parlamenti i Ukrainës ka miratuar me 263 vota pro shpërbërjen e Byrosë Kombëtare Anti-Korrupsion (NABU), një prej institucioneve kyçe dhe më të besuara në luftën ndaj korrupsionit në vend. Ky vendim drastik erdhi vetëm pak ditë pas miratimit të një ligji që i hiqte pavarësinë këtij institucioni dhe ia kalonte kompetencat Prokurorit të Përgjithshëm, një figurë e emëruar nga presidenti.
Shpërbërja e NABU u pasua nga arrestimi i disa drejtuesve të saj nën dyshime për lidhje me shërbimet ruse. Qeveria e justifikoi hapin si të domosdoshëm për të “riformatuar plotësisht sistemin anti-korrupsion” dhe për të ndërtuar struktura më efektive. Por kritikët brenda dhe jashtë vendit e kanë konsideruar si një akt të hapur për të shkatërruar pavarësinë e drejtësisë dhe për të forcuar kontrollin politik mbi hetimet ndaj korrupsionit të nivelit të lartë.
Vendimi ka shkaktuar një valë protestash në qendër të Kievit, ku mijëra qytetarë dhe aktivistë akuzuan presidentin Volodymyr Zelenskiy për “kapje të shtetit” dhe i kërkuan që të vendoste veton ndaj ligjit. Megjithatë, Zelenskiy jo vetëm që e nënshkroi ligjin, por edhe firmosi dekretin për shpërbërjen e menjëhershme të NABU dhe SPAO – organit të posaçëm të akuzës që bashkëpunonte ngushtësisht me NABU-në.
Reagimet ndërkombëtare ishin të menjëhershme dhe të ashpra. Komisioni Evropian dhe përfaqësuesit e G7 paralajmëruan se ky hap mund të ndikojë negativisht në procesin e anëtarësimit të Ukrainës në BE dhe në mbështetjen që Perëndimi i jep vendit, sidomos në kohë lufte me Rusinë. Diplomatë të BE-së deklaruan se ky është një sinjal i keq për qytetarët ukrainas dhe për partnerët ndërkombëtarë që kanë investuar për një Ukrainë transparente dhe të drejtë.
Po e ardhmja e SPAK dhe BKH?
Ndërkohë që në Ukrainë po shpërbëhen institucionet anti-korrupsion nën arsyetime për “ristrukturim”, në Shqipëri është ndezur debati për të ardhmen e SPAK dhe BKH.
Zyrtarisht nuk ka ende një draft për ndryshime, por jozyrtarisht flitet për dy dokumente që synojnë të riformulojnë qasjen ndaj reformës në drejtësi pas vitit 2016, shkruan weblajm.
Njëri prej drafteve lidhet me përmirësime në zbatimin e reformës, ndërsa tjetri me kodin e ri penal, që në disa raste mund të kufizojë kompetencat e SPAK për hetime ndaj zyrtarëve publikë.
Paralelisht, komisioni “Xhafa” për reformën në drejtësi, megjithëse jo aktiv në publik, vijon të ekzistojë si bazë për çdo ndryshim të mundshëm institucional.