Policia e Shtetit njoftoi sot zbardhjen e ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj një javë më parë në Shëngjin.
Kështu, në organizimin dhe ekzekutimin e këtij atentati morën pjesë 6 persona. Shqiptaro-britaniku Edmond Haxhia, 4 britanikët, Harry Simson, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman, si dhe portugezi Ruben Saraiva. Ky i fundit ishte dhe personi që e ekzekutoi Nikulajn.
Porositës i vrasjes dyshohet të jetë pikërisht Edmond Haxhia, i cili po hetohet si organizator, porositës dhe financues i krimit.
Edmond Haxhia është djali i dajës së Elton Lekstakajt. Fisi Lekstakajt kishte një konflikt me Nikulajn që prej 97-s. Haxhia ka shtetësi shqiptare dhe britanike.
Sa i përket motiveve, Rrumbullaku tha se bëhet fjalë për gjakmarrje.
Historia e vrasjeve
Historia e përplasjeve mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj në Lezhë e ka zanafillën në vitin 1996, ku konflikti nisi në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për 10 mijë lekë të vjetra.
Vëllai i Ardian Nikulaj bashkë me një person tjetër ishin shitës në karburantin në fjalë dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën.
Pas furnizimit me karburant shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën prej 10 mijë lekësh të vjetra të furnizimit me karburant.
Pas debatit verbal drejtuesi i mjetit është larguar, duke u rikthyer i armatosur disa minuta më vonë dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve duke i lënë të vdekur në vend, mes të cilëve dhe vëllain e Ardian Nikulaj.
Aty nis dhe historia e gjakmarrjes, ku pak muaj më vonë vriten Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja që ishte nip i familjes.
Ndërsa në vitin 1999 vritet Gjovalin Lekstakaj dhe plagoset rëndë Pjetër Lekstakaj, ngjarje këto të pazbardhura.