Shtatori ka nisur me përshkallëzim të protestës qytetare, teksa protestuesit kanë bllokuar hyrjet e Kryeministrisë, ndërsa menjëherë janë shtuar forcat e Policisë së Shtetit.
Protestuesit kanë vijuar me thirrjet kundër kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe duke brohoritur: “Arrestoni Ramën!”, “Jep dorëheqjen!” dhe “Ju erdhi fundi!”
Situata është shoqëruar me tensione mes protestuesve dhe forcave të policisë, ndërsa këta të fundit i kanë bërë thirrje të shpërndahen dhe të lirojnë rrugën.
Kjo është dita e 94-t radhazi e protestave kundër qeverisë, në një aksion që vijon prej më shumë se tre muajsh.
Kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Mes kërkesave të tyre janë gjithashtu ndryshimi i klasës politike dhe krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor.
Organizatorët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave gjatë shtatorit dhe tetorit dhe kanë bërë thirrje për një mobilizim më të gjerë qytetar.