
SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim çështjen ndaj gjyqtares së Elbasanit Zamira Vyshka, avokatin Ilir Pashaj dhe të pandehurve të tjerë.
Gjyqtarja Vyshka u arrestua në korrik me urdhër të SPAK, bashkë me avokatin Ilir Pashaj, pasi po merrte rreth 400 mijë lekë ryshfet, për t’i uluar dënimin me 6 muaji një të burgosuri.
Në njoftimin e SPAK thuhet se, gjyqtarja Zmira Vyshka akuzohet për: 'Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë'.
Njoftim
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet e procedimit penal nr. 209 të vitit 2021, për veprat penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga nenet 319/ç të Kodit Penal, si dhe të “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
Fakti penal i hetuar, lidhet me një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë (në qytetin e Elbasanit), ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës, i kanë ofruar gjyqtarit të çështjes një shumë monetare me qëllim favorizimin në caktimin e masës së dënimit.
Pas analizimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal dhe përfundimit të hetimeve Prokuroria e Posaçme, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve:
Zamira Vyshka, e akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
Ilir Pashaj (avokat), Taulant Ramollari dhe Xhulio Musaj të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal. Andrea Tirana i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
Kujtojmë se përgjimet dhe vëzhgimet e SPAK nxorën zbuluar gjyqtaren Zamira Vyshka dhe avokatin Ilir Pashaj të cilët janë arrestuar për ryshfet dhe korrupsion në Elbasan. Në përgjime shtohet se i arrestuari Xhulio Musaj, i akuzuar në vitin 2019 për vjedhje kërkoi një ulje dënimi me 6 muaj burg.
Familjarët ofruan shumën 200 mijë lekë me negociator avokatin Ilir Pashaj, ndërsa gjyqtarja kishte kërkuar dyfishin, pra 400 mijë lekë. Ata ishin të gatshëm të jepnin paratë e kërkuara për të lehtësuar masën e sigurisë ndaj Xhulio Musajt, por me fryrjen e shumës nga gjyqtarja, nuk kishin pranuar. Nga përgjimet ka rezultuar se familjarët e të arrestuarit i kanë thënë avokatit: "Më mirë t’i hajë ai 400 mijë lekë në burg se sa gjyqtarja."
Zamira Vyshka është një emër i lakuar në sistemin e drejtësisë. Ish-shefi i policisë rrugore Elbasan, Fadil Mema, para se të ekzekutohej në Itali në 14 mars 2015, ka rrëfyer ndër të tjera para prokurorit të ndjerë Xhevat Hana se gjyqtarja Zamira Vyshka ishte mikeshë e grupit Çapja në Elbasan dhe se merrte vendime për llogari të tyre.
Duke treguar aktivitetin kriminal te Çapjave dhe konfliktin me ta që solli shumë viktima, ish oficeri i policisë Fadil Mema ka thënë para ish prokurorit Xhevat Hana se gjyqtarja Zamira Vyshka, me një dosje të falsifikuar, kishte shpallur të pafajshëm Sokol Çapjan, i akuzuar për një vrasje në vitin 1993.