Dy kate të shtëpisë me kanabis dhe arsenal armësh në Shijak, Policia: U përkiste grupeve kriminale

24 Janar 2023, 10:34Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Policia e Shtetit finalizoi me sukses një operacion në zonën e Shijakut në fund të të cilit u zbulua një shtëpi bari si dhe një arsenal i madh armësh, të fshehura në banesën e dy vëllezërve.

Në kuadër të operacionit “Krahët e krimit”, efektivët e policisë ushtruan kontroll në një banesë 4-katëshe në Sallmone, ku u zbulua se në dy katet e sipërme të saj kultivoheshin bimë narkotike me anë të llambave.

Pas verifikimeve, në banesë u gjetën 444 rrënjë kanabis, si dhe u sekuestruan të gjitha pajisjet që përdoreshin për kultivimin e tyre.

Po ashtu, policia zbuloi një dhomë të fshehur në banesën e dy vëllezërve Fredi Krasniqi dhe Selman Krasniqi, brenda së cilës u gjetën 10 automatikë kallashnikov, 1 pushkë, dylbi, antiplumb dhe municione.

Sipas hetimeve, këto armë mendohet se i përkisnin një grupi kriminal.

Gjatë operacionit, efektivët arrestuan në kushtet e flagrancës 46-vjeçarin Fredi Krasniqi, ndërkohë që është shpallur në kërkim vëllai i tij Selmani, me precedentë të mëparshëm penalë.

Video