
Një ngjarje e turpshme ka ndodhur ditën e djeshme, gjatë shortit të ndarjes së grupeve në Kampionatin Europian 2024, të mbajtur në Hamburg të Gjermanisë.
Gjatë procesit, në sfond është dëgjuar një audio pornografike, që ngjasonte me rënkimin e një femre.
Audioja besohet se ka ardhur nga ndonjë ndërhyrje në sistemin audio të sallës, në ndërtesën e Elbphilharmonie në Hamburg, ku po mbahej ceremonia.
Ngjarja ka qënë e sikletshme për të pranishmit, duke mos munguar as reagimet.
Ish-lojtari i Manchester Cityt, David Silva, i pranishëm në skenë, mbuloi fytyrën në përpjekje për të fshehur të qeshurën e tij.
“Këtu ka një zhurmë të çuditshme”, tha zv.sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Giorgio Marchetti, i sikletosur.
Ishte po Marchetti, që theksoi ndërprerjen e audios duke thënë se “tani është ndalur”.
Pavarësisht këtij skandali, procesi vazhdoi normalisht, por tifozët nuk e kanë 'falur' rastin dhe videoja është bërë virale.