Tirana Futsal, përmbysje e çmendur ndaj APOEL-it! 8-6 në startin europian të Futsal Champions League

27 Gusht 2026, 20:39Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tirana Futsal mposht APOEL 8-6

Tirana Futsal e ka nisur në mënyrën më spektakolare aventurën në UEFA Futsal Champions League 2026/27. Kampionët e Shqipërisë kanë dhuruar një ndeshje me emocione të jashtëzakonshme në Parkun Olimpik “Feti Borova”, duke përmbysur APOEL-in dhe triumfuar me rezultatin 8-6.

Sfida nisi në mënyrën më të keqe për bardheblutë, pasi skuadra qipriote shënoi dy herë që në minutën e parë me Fagundes. Por Tirana nuk u dorëzua dhe reagoi menjëherë, duke nisur një përmbysje spektakolare.

Në minutën e 8-të, Maxharraj ngushtoi diferencën, ndërsa Selmanaj barazoi shifrat në minutën e 11-të. Fagundes realizoi sërish një minutë më vonë, duke kompletuar tripletën personale, por Tirana tregoi karakter dhe në minutën e 13-të Muca riktheu baraspeshën.

Bardheblutë tashmë kishin marrë kontrollin e lojës dhe fundi i pjesës së parë ishte një shpërthim i vërtetë. Limani shënoi në minutën e 18-të, ndërsa Kelmendi realizoi në minutën e 19-të, duke e mbyllur pjesën e parë me Tiranën në avantazh.

Në pjesën e dytë, kampionët e Shqipërisë vazhduan të luanin me ritëm të lartë dhe të dominonin sfidën. Selmanaj shënoi golin e dytë personal në minutën e 24-t, ndërsa Alibegu realizoi një minutë më pas.

Tirana ishte e pandalshme dhe në minutën e 26-të Kelmendi shënoi edhe golin e tij të dytë, duke e çuar rezultatin në një avantazh të jashtëzakonshëm 8-3.

APOEL tentoi të rikthehej në lojë. Dos Santos Sousa shënoi në minutën e 29-të, ndërsa Tzakidis realizoi në minutën e 31-të. Në minutën e 39-të, Tzakidis gjeti sërish rrugën e rrjetës, por përpjekjet e qipriotëve nuk mjaftuan.


Tirana Futsal rezistoi deri në fund dhe siguroi një fitore të madhe 8-6, duke e nisur aventurën europiane me një përmbysje spektakolare dhe një mesazh të fortë për rivalët e grupit.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Hjørring mposhti Cardiff-in 9-2.

Por për Tiranën nuk ka kohë për festë të gjatë. Sonte, më 27 gusht, në orën 20:45, kampionët shqiptarë do të zbresin sërish në parket, këtë herë përballë Futsal Club Cardiff, përsëri në Parkun Olimpik “Feti Borova”.

Pas përmbysjes së çmendur ndaj APOEL-it, Tirana Futsal kërkon një tjetër hap të madh drejt kualifikimit.



Video