Situata rreth Julián Álvarez po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar te Atlético Madrid. Sulmuesi argjentinas nuk mori pjesë në seancën e fundit stërvitore në prag të sfidës me Sevilla. Arsyeja zyrtare është një mungesë dispozicioni për shkak të gjendjes së tij fizike, por mungesa e tij vjen në një periudhë kur e ardhmja në Madrid është kthyer në një çështje të nxehtë.
Përballë kësaj situate konfuze, ka reaguar edhe klubi madrilen.
“Lojtari po portretizohet si viktimë, por viktimat e vetme në rastin Julian jemi ne. Ne jemi dëmtuar si ekonomikisht ashtu edhe socialisht. Ka 0% shanse për ta shitur atë te Barça. Kjo situatë nuk ka të bëjë me paratë, ka të bëjë me dinjitetin. Është krijuar një fushatë me shumë gënjeshtra dhe gjysmë të vërteta. I vetmi që paguan çmimin është Atletiko”, thuhet në deklaratën e klubit.
Tensioni mes lojtarit dhe një pjese të tifozëve shpërtheu pas barazimit 2-2 me Villarreal. Álvarez u vërshëllye që në momentin e prezantimit të formacioneve dhe kontestimet vazhduan gjatë nxehjes, por edhe pasi u aktivizua në ndeshje.
Në qendër të gjithë historisë është merkatoja. Barcelona vazhdon të jetë destinacioni i preferuar i Álvarez, ndërsa Atlético nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe deri tani ka refuzuar përpjekjet për ta larguar sulmuesin. Por në garë është futur fuqishëm edhe Arsenal. Klubi londinez po përpiqet ta bindë argjentinasin me një rol qendror në projektin e tij sportiv, duke i garantuar hapësirë në pozicionin ku ndihet më mirë.
Në Madrid, ndërkohë, koha po shkurtohet. Nëse Álvarez largohet, Atlético duhet të gjejë menjëherë një zëvendësues. Simeone kërkon përforcime në sulm dhe mes emrave të vlerësuar janë Viktor Gyökeres dhe Gabriel Jesus.
Tani pritet vendimi.
Álvarez duhet të qartësojë të ardhmen, ndërsa Atlético duhet të përgatitet për çdo skenar. Një histori që, në ditët e fundit të merkatos, mund të marrë një kthesë vendimtare.