Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, për sulm ndaj arbitrit të ndeshjes është pezulluar me 15 ndeshje dhe gjatë kësaj periudhe i ndalohet edhe hyrja në stadiume.
Vendimi lidhet me incidentin e ndodhur pas përfundimit të ndeshjes Elbasani-Vllaznia, kur asistenti i dytë i arbitrit, Ergys Spahiu, po drejtohej drejt tunelit për në dhomat e zhveshjes. Në atë moment, mes tij dhe presidentit të Vllaznisë pati një përplasje, ku Xhaferi e goditi me grusht zyrtarin e ndeshjes.
Episodi u filmua dhe pamjet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta në opinionin sportiv. Në videot e publikuara shihet momenti i tensionuar, ndërsa personat e sigurisë ndërhyjnë menjëherë për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Në të njëjtën ndeshje, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, u ndëshkua me karton të kuq pas protestave ndaj vendimeve të arbitrave. Në sfond ishin edhe dy golat e anuluar të Vllaznisë për pozicion jashtë loje. Tekniku shkodran, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes ndaj zyrtarëve të ndeshjes, është pezulluar me 6 javë.
E pëson edhe Elbasani, që do të gjobitet me 1 milion lekë për organizim jo të mirë te ndeshjes ndaj Vllaznisë.
Tensionet nuk munguan dhe në ndeshjen Skënderbeu-Dinamo, ku trajneri i kryeqytetasve, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes, dënohet me 2 ndeshje pezullim nga veprimtaritë.