Boban i habitur pas Bayern-Inter, kritikon çmimin MVP për Bastonin: Nuk kuptojnë nga futbolli

9 Prill 2025, 17:44Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Boban dhe Bastoni

Zvonimir Boban nuk është nga ata që i merr gjërat me tërthorta, dhe këtë e tregoi edhe një herë pas ndeshjes Bayern-Inter. Ish-futbollisti i Milanit dhe opinionist i Sky, mbeti shumë i habitur kur mësoi që ishte pikërisht Alessandro Bastoni ai që ishte shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes së parë çerekfinale të Champions League. Një vendim që Boban e kritikoi hapur dhe pa asnjë mëdyshje.

Zvone kishte lavdëruar veçanërisht Thuram dhe Lautaro, që sipas tij “nuk kishin luajtur kurrë kështu” kundër Bayern. Në analizën e tij, ish-drejtuesi i UEFA-s u shpreh për paraqitjen e lojtarëve të Inter: “Dyshja e sulmit ishte e pabesueshme, natyrisht pa dashur të heq merita pjesës tjetër të skuadrës për paraqitjen e plotë. Por ata të dy përpara ishin të jashtëzakonshëm. Po ashtu edhe leximet e lojës nga Mkhitaryan dhe Barella që bëri shumë lëvizje me klas. Ndoshta nuk u vunë shumë re sepse ata të dy përpara dominuan. Më ka impresionuar personaliteti i skuadrës që në fillim”.

Në këtë moment, moderatorja Federica Masolin e informoi Boban se çmimi MVP i ishte dhënë Bastonit. Reagimi i Boban ishte i menjëhershëm dhe pa filtra: “Nuk kuptojnë as… shumë pak kuptojnë nga futbolli, me gjithë respektin për Bastoni. Sonte, me një fitore, t’ia japësh një mbrojtësi, nuk ka asnjë kuptim”.

Kur debati në studio u ndez, kroati vazhdoi me të njëjtin ton, por duke qeshur: “Sonte, me një fitore, t’ia japësh këtë çmim një mbrojtësi, nuk ka fare kuptim. Kur isha unë në krye të futbollit në UEFA, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë. Kurrë! (qesh)”.

Edhe trajneri Capello dukej se ishte dakord me këtë qëndrim, ndërsa Boban shpjegoi edhe më tej mendimin e tij. Nuk kishte asgjë personale ndaj Bastonit, përkundrazi, kishte edhe komplimente për ndeshjen e tij të mirë: “Çmimi për një mbrojtës? Po, për Carlos Augusto do kishte kuptim. Bastonin unë e adhuroj sepse ka klas dhe bëri një ndeshje shumë të mirë. Por unë do të kisha votuar për Lautaro”.

Video