
Real Madrid është turpëruar nga Arsenali në çerekfinalen e parë të Champions. “Topçinjtë” fituan me rezultatin 3-0 përballë madrilenëve, që u tronditën në pjesën e dytë.
Të tre golat e Arsenalit do të mbahen mend gjatë nga tifozeria vendase në “Emirates Stadium”. Deklan Rajs ishte vendimtar me dy goditjet e dënimit që ktheu në gol.
Fillimisht në minutën e 58-të dhe më pas në minutën e 70-të. Arsenali nuk u mjaftua me kaq, pasi Merino shënoi në përfundimin e një aksioni model.
Reali nuk bëri asgjë për të ndryshuar fatin e sfidës në Champions. Skuadra e Ançelotit e mbylli me 10 lojtarë, pasi Kamavinga u largua me karton të kuq në fundin e sfidës.
Në ndeshjen tjetër, Interi ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt gjysmëfinales të Ligës së Kampioneve, pasi ka mundur me shifrat 2-1 në transfertë Bayern Mynihun.
Skuadra italiane është mbrojtur me rregull përballë bavarezëve duke i lejuar raste me pikatore, ndërsa gjeti avantazhin me një gol spektakolar të Lautaro Martinez. Vendasit vonuan në reagimin e tyre dhe ishin lehtësisht të kontrollueshëm nga italianët në iniciativat sulmuese. Por si për ironi të fatit, “i larguari” Tomas Myler ishte ai i cili u mundua të kthente në lojë skuadrën e tij teksa shënoi golin e barazimit në minutat e fundit.
Por një pavëmendje e prapavijës së vendasve u kushtoi shtrenjtë, pasi Fratesi gjeti hapësirën për të shënuar golin e 2-1, që i jep Interit një avantazh të rëndësishëm për sfidën e kthimit në “San Siro”.