Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje anëtarëve të Këshillit Kombëtar që të gjithë demokratët të mbështesin protestat qytetare kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
“Vera që po lëmë pas do hyjë në histori si vera që dogji Edi Ramën. Jemi në fund të muajit gusht. Po mbyllim verën më të nxehtë të viteve të fundit, një verë aq përvëluese që muaj pas muaji, javë pas jave, ditë pas dite ka shkrirë dhe po shkrin narko-shtetin, kreun e saj padrinon Edi Rama”, tha Berisha.
“Zjarret dogjën Shqipërinë këtë verë si rrallë ndonjë vit më parë. Vatra të shumta zjarresh në Fushë Krujë, Krujë, Dajt, Dibër, Bulqizë, Pukë, Finiq, Mallakastër, Gramsh, etj. Ato, pothuajse, nuk u menaxhuan fare. Fondet e emergjencës për zjarret kishin shkuar për koncerte për të shuar protestën.
Por këtë verë, zjarret si asnjëherë më parë, dogjën edhe më shumë se kaq. Zjarret dogjën teserat e partisë së krimit. Siç keni parë në video, nga vetë socialistët që dogjën kartat e tyre në Poliçan, në Divjakë, në Dimal, pa llogaritur edhe mijëra e mijëra të tjera që u dogjën përfundimisht në bulevardin e Tiranës. Kjo verë shkriu me nxehtësinë e saj propagandën e AKSHI-t. Shkriu Diellën, Lindat e AKSHI-t.
U kujtoj se Ermal Beqirin e AKSHI-t, pasi vodhi 200 milionë euro, një ditë u arrestua në Francë dhe pak javë më vonë këtij kështjellari, Edi Rama me ministrinë e Financave i dhanë edhe disa milionë euro të tjera për të ndarë së bashku me të. Miliona euro që shkojnë nga paratë e shqiptarëve në llogaritë e Beqirit, i cili gjendet në qelitë e Francës”, tha kreu i PD.
Berisha vlerësoi protestën që zgjat prej tre muajsh e cila, sipas tij, e rrënoi Ramën.
“Në temperatura ku vera mund të skuqej në nxehtësinë e asfaltit, presione, kërcënime të egra dhe provokime të pandalura nga patronazhistët terroristë politikë, narkopolicia dhe kartelet qeveritare të drogës ndaj protestuesve paqësore. Ndonëse në një lumë fyerjesh shtazore mediatike të nxjerra nga Ymer Çorapet dhe Frrok Çupërat, qytetarë të lirë, heronj të vërtetë, ditë për ditë kanë protestuar pa ndalim në një manifestim të admirueshëm të ADN-së shqiptare, të dinjitetit, të guximit, të qëndresës. Për nga gjatësia, protesta e dytë më jetëgjatë pas asaj te Rruga e Shpresës, duke shënuar për nga madhësia absolutisht protestën më masive që Shqipëria ka parë ndonjëherë që nga vitet ’90 gjer sot”, tha Berisha.
Berisha kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, duke deklaruar se, sipas tij, kjo do të ishte “skenari më pak i dëmshëm” për Ramën.
“Absolutisht, pas një vere si kjo, çdo njeri në botë në vendin e Edi Ramës do të kishte dhënë dorëheqjen dhe vetëm dorëheqjen. Dorëheqja për Edi Ramën do të ishte skenari më pak i dëmshëm për të në këto kushte. Mirëpo, në 13 vite pushtet absolut, Edi Rama jo lider që nuk çohet nëpërmend, por as burrë nuk u bë dot kurrë, sepse vodhi dhe vetëm vodhi. Vodhi natën, vodhi ditën, vodhi zgjuar, vodhi në gjumë qytetarët e këtij vendi. Ndaj dhe ai, ndonëse ka popullin në shesh prej tre muajsh, nuk jep dhe nuk guxon të mendojë dorëheqjen e tij. Prandaj është detyra jonë si opozitë e vërtetë e Shqipërisë që të bëjmë gjithçka që të çojmë Edi Ramën në dorëheqje. Detyra e parë, ashtu siç kemi bërë që në ditët e para, është të mbështesim pa kushte protestën heroike dhe të jashtëzakonshme rinore qytetare. Sot, pas 90 ditësh, dështuan të gjitha ato përpjekje të armiqve tanë që donin, njëlloj si miza në prapanicën e kalit, të dukeshin se ishin ata që tërhiqnin karrocën. Bënë gjithçka si vegla të Edi Ramës, me sloganet e tyre kundër PD-së, në mënyrë që demokratët të mos ishin në protestë. Por gabuan, gabuan keq. PD-ja dhe protesta janë të lidhura njëlloj si syri me dritën”, u shpreh kreu i PD-së.