Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë dhe mbledhjes së grupit parlamentar u shpreh se është diskutuar për emrat për kryetar bashkie dhe kandidatët për këshillat bashkiakë.
Alibeaj u shpreh se PD ka një kandidat, ndërsa kandidatët e tjerë janë me logo të tjera, ndërsa shtoi se kandidatët e primareve janë të mirëpritur që t’i bashkohen.
Pyetje: Keni kandidat për Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin?
Alibeaj: Procesi është në vazhdim. Ky proces, siç është parashikuar në vendimin e Kryesisë, është një proces që bazohet në statutin e partisë. Në një nga mbledhjet e mëparshme, ne kemi kërkuar kandidimin e Primareve.
Pyetje: Ka një përplasje mes teje dhe Bardhit?
Alibeaj: Nuk është paqartësi. Unë dhe kushdo ka detyrim të respektojë vendimet e Kryesisë. Ajo që ka thënë Bardhi është në bazë të qëndrimeve tona për kandidatët e Primareve të grupit të Rithemelimit, janë të ftuar të bashkohen në logon e PD-së. Ky proces, do të vazhdojë të diskutohet këtu në mbledhjet e Kryesisë.
Pyetje: Bardhi deklaroi se në këto 3 bashki nuk do nxjerrë kandidatë.
Alibeaj: Është gjithmonë sipas rregullave të statutit që këto do i vendosë Kryesia.
Pyetje: Në Mirditë u shprehët se futja e një pjese demokratësh në një logo të një partie tjetër shënon thuaje një ndarje finale mes demokratësh, a janë ndërprerë urat e komunikimit me Berishën?
Alibeaj: PD nuk ka sesi të ketë 2 kandidatë, ka vetëm një kandidat, të tjerët mund të jenë nën logo të tjera, në parti të kundërta nga PD si PL apo PS le të themi. Të marrësh demokratë dhe t’i çosh në një parti që nuk ka këtë logo apo ngjyrë, unë besoj se sipas rregullave të statutit është e papajtueshme me pozicionin dhe qëndrimin e PD-së.
Unë e kam bërë të qartë për Berishën, nuk është çështje personale, por qartësisht e identitetit të PD-së. PD është themeluar si parti pro-perëndimore, marrëdhëniet me SHBA dhe MB janë në thelbin dhe AND-në e kësaj partie. Relatat apo aleanca e kësaj partie me to janë më shumë se të shenjta. Kemi bërë maksimumin, përtej cdo durimi që është i justifikueshëm për të pasur një kandidat të demokratëve dhe më gjerë se kaq. Një kandidat fitues me moral ku të bashkohen ata që duan ta shohin regjimin e Edi Ramës në një kufi, është e qartë për gjithsecilin prej nesh.