Taulant Balla porosi deputetëve socialistë të qendrojnë në Tiranë, mister arsyeja

16 Korrik 2026, 15:29Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Seanca plenare e kësaj të enjteje u zhvillua pa praninë e deputetëve të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, të cilët vijojnë bojkotin e Kuvendit. Mungesa e opozitës bëri që të mos zhvillohej interpelanca e planifikuar mes deputetes Jorida Tabaku dhe ministrit të Financave, ndërsa seanca u dominua nga diskutimet e mazhorancës.

Ndërkohë, kreu i grupit socialist Taulant Balla ka porositur deputetët socialistë që të mos largohen nga Tirana edhe pas mbylljes së sesionit parlamentar, pasi nuk përjashtohet mundësia e zhvillimit të një seance të posaçme më 27 korrik.

Zyrtarisht nuk është bërë e ditur arsyeja, por përflitet se kjo kërkesë  mund të lidhet me projektligjet e integrimit europian, ose me ndryshime të mundshme në kabinetin qeveritar.

Gjatë seancës së sotme e cila u përqëndrua në diskutimet mes deputetëve të mazhorancës Balla, kërkoi shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të ndryshimeve në ligjin për turizmin, që parashikojnë pezullimin e punimeve të ndërtimit gjatë sezonit turistik në zonat turistike.

Sipas Ballës, masa synon të shmangë zhurmat pranë hoteleve dhe të përmirësojë cilësinë e pushimeve për turistët.

Nga ana tjetër, deputeti socialist Erion Braçe ngriti shqetësimin për marrëdhëniet mes fermerëve dhe grumbulluesve, duke kërkuar ndërhyrje të shpejtë për mbrojtjen e prodhuesve bujqësorë.


Video